Shqipëria

Policia arreston të afërmin e Noizy-t për zjarrvënien e përsëritur të lokalit


Autoritetet kanë arrestuar Eraldo Musteqjen si person i dyshuar për zjarrvënie të përsëritur ndaj lokalit të familjes Rajku.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, mësohet se 26-vjeçari është i afërm i Rigels Rajkut i njohur në muzikë me emrin “Noizy”.

Ai u arrestua në flagrancë mëngjesin e 29 qershorit pasi u kap duke i vënë zjarrin lokalit të familjes Rajku për herë të dytë.

Në momentin e arrestimit, të afërmit të Noizyt iu gjet një mjet prerës (thikë).

Ndërtimi i ngjarjes

Më pak se tre javë pas një incidenti të ngjashëm, biznesi i familjes Rajku u përfshi nga flakët në orët e para të 29 qershorit.

Kujtojmë, që lokali gjendet në zonën e Currilave dhe është në pronësi të babait të këngëtarit të njohur.

Kjo është hera e dytë që digjet brenda një muaji lokali i familjes Rajku, ndërsa ngjarja dyshohej sërish të ishte e qëllimshme.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, zjarrfikëse si dhe autoambulanca.

Më 11 qershor, i njëjti lokal në qytetin e Durrësit u përfshi sërish nga flakët.

Sipas informacioneve paraprake pista kryesore e hetimit asokohe ishte zjarrvënia e qëllimshme.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijoi punën për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore