Shqipëria

‘Po përpiqeni të frikësoni gjyqtarët’, Kim: Koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit


Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim përmes një postimi në Twitter është shprehur se janë në dijeni të përpjekjeve për të frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët.

Kjo, sipas ambasadores bëhet për të shtrembëruar drejtësinë dhe për të këmbëngulur në pandëshkueshmërinë për të fuqishmit.

Ajo theksoi se është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor, duke shtuar se SHBA mbështet fuqishëm reformën në drejtësi.

“Duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. Po i kushtojmë vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi”.

Një javë më parë, Kim deklaroi se Reforma e ndërmarrë në Drejtësi, po i jep rezultatet e saj dhe për këtë fakt, puna e magjistratëve të rinj kërkon edhe më shumë përpjekje.

Në fjalën e saj, ambasadorja u bëri thirrje të gjithë atyre, të cilët e ndërmarrin këtë rrugëtim, të jenë të guximshëm në bërjen e ndryshimeve për vendin e tyre, teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma në sistemin e drejtësisë.

“Duhet të kenë sukses për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë”, nënvizoi ajo, duke i uruar të diplomuarve sukses.

Mbi kontributin e SHBA-ve, Kim u ndal po ashtu në fjalën e saj, duke nënvizuar angazhimin amerikan për një Shqipëri më të mirë se sa kjo që është tani.

“Kurrë mos u dorëzoni. SHBA-të do ta mbështesin Shqipërinë”, e përmbylli ajo fjalën e saj.

Reforma në Drejtësi po jep rezultate, sipas ambasadores Kim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore