Lajme

“Po ha bukë si në hotel, kurrë ma mirë s’kam qenë”, pas 60 orësh në komunë lajmërohet kryetari i Leposaviqit


Lulzim Hetemi, Kryetar i Leposaviqit

Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka folur për Albanian Post duke treguar se akoma nuk e ka ndarë mendjen se edhe sa gjatë do të qëndrojë brenda hapësirave të ndërtesës së Komunës.

Janë bërë më shumë se 60 orë qëndrimi brenda, por zhvillimet jashtë zyrave ku po protestohet nga serbët, dhe ato në Prishtinë, do të bëjnë që Hetemi të vendosë kur të dal nga komuna.

“Kurr më mirë s’kam qenë. Mirë jam, edhe me shëndet jam mirë”, ka treguar Hetemi për Albanian Post.

“Unë sonte muj me dalë, nesër muj me dalë, nuk e kam problem. Ta shohim situatën se si po zhvillohet jashtë e në Prishtinë e pastaj veprojmë”, ka treguar kryetari Hetemi.

Qështjen e ushqimit dhe higjienës nuk e ka problem thotë, ani pse aty brenda ka tre ditë që po qëndron.

“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin”.

“Edhe me u la mirë, edhe banjo ka, të gjitha janë”, tregoi më tej ai.

Hetemi ka treguar se brenda është i shoqëruar nga policë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës.

“Unë jam në vendin tim”, përfundoi Hetemi.

Gjatë ditës, Albanian Post kishte kontaktuar edhe me vëllain e tij, pasi që Hetemi vetë nuk lajmërohej.

“Ai është mirë. Që kur ka hy në komunë nuk e kemi takuar por kemi biseduar me të përmes telefonit. I kemi shkruar na ka kthyer përgjigje. Mirë është”, kishte deklaruar Driton Hetemi, vëllai i Lulzim Hetemit duke shtuar se ai mund të dalë por nuk do.

“Unë e njoh Leposaviqin, pjesën te komuna e krejt dhe e di që kanë mundësi me dalë por thjeshtë nuk po duan”.

“Mirë jam, qysh me lëshu tash?”, Lulzim Hetemi qe 50 orë ka mbetur në objektin e komunës në Leposaviq

Sot është dita e tretë që kur qytetarë serbë, kanë dalë në rrugë për të bllokuar funksionimin e komunave, në të cilat filluan punën zyrtarisht kryetarët shqiptarë, nga zgjedhjet e 23 prillit.

Në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, protestuesit po kërkojnë largimin e kryetarëve shqiptarë dhe forcat e Njësive Speciale ë Policisë së Kosovës.

Për dallim nga komuna e Leposaviqit dhe Zubin Potokut, në Zveçan protestuesit ishin shumë të dhunshëm. Në përleshje me KFOR-in, ata lënduan 30 pjesëtarë të këtij misioni paqeruajtës në Kosovë, tre prej të cilëve ishin lënduar me armë zjarri.

Për të treguar më pas se NATO do të dislokojë edhe 700 trupa të tjerë në Kosovë, për shkak të situatës së tensionuar në veri.

Vendimi i parë i Lulzim Hetemit si kryetar i Leposaviqit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë periudhë tensioni, është kërkesa e drejtuar në KOSTT dhe tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që ta kyçë në sistem komunën dhe të fillojë pagesa e energjisë elektrike.

Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Hetemi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRrE-së për të kyçur institucionet tona publike komunale në mënyrë që të fillojë pagesa e rregullt e energjisë eklektike. Po ashtu autoritet duhet të na njoftojnë me borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar në mënyrë që t’i shlyejmë ato detyrime”, ka shkruar Hetemi në Facebook.

Rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vazhdojnë të mos paguajnë për energjie elektrike derisa për ta paguan Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore