Lajme

Katër komunat në Veri prap nuk preken nga rritja e çmimit të rrymës – për banorët atje paguan shteti


Foto: Albanian Post

Çmimi i energjisë elektrike është rritur për 14 për qind në Kosovë. Por, kjo shifër s’përbën lajm shqetësues për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Veri.

Rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vazhdojnë të mos paguajnë për energjie elektrike derisa për ta paguan Qeveria e Kosovës.

Madje, kriza energjetike asnjëherë nuk i preki katër komunat veriore.

Kjo pasi që borxhet për energjinë elektrike në këto komuna mbulohen nga operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), gjegjësisht nga Qeveria e Kosovës.

Njohësja e fushës së energjisë, Pranvera Dobruna, përmes një bisede për Albanian Post thotë se tematika e furnizimit me energji elektrike dhe pagesa e faturave në Veri duhet të zgjidhet si “çështje teknike” dhe “jo si politike”, prandaj sipas saj ka qenë gjithmonë e gabuar qasja e qeverive.

“Duhet të gjenden mënyra që ata qytetarë të regjistrohen dhe të fillojnë të paguajnë për energjinë e konsumuar. Pra, po e theksoj sërish, që duhet të gjenden mënyra teknike, jo politike. Trajtimi i tyre duhet të bëhet në mënyrë të njëjtë si çdo konsumator tjetër”, thotë Dobruna për AP.

Meqë ka qenë edhe pjesë e negociatave në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, ajo beson që në këtë formë s’mund të vazhdohet më.

“Unë kam qenë pjesë e negociatave për Veriun dhe besoj që mënyra më e mirë është zgjidhja teknike, mos të jetë pjesë e bisedimeve dhe çështjeve politike. Duhet të bëhet marrëveshje me atë kompani e cila është e regjistruar, duhet të shikohet se a i ka plotësuar kushtet për licencim dhe mos të vazhdohet kështu më”.

Foto: Albanian Post.

Dobruna pohon se nga gjithë këto pagesa me dëme të mëdha përfundon operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

“KOSTT-i apo operatori i sistemit tonë është pjesë e ecurisë dhe ecuria nuk lejon devijime. KOSTT-i për shkak të furnizimit të Veriut është i obliguar ndonjëherë padashje të devijojë në raport me energjinë që ka, prandaj kjo është e padrejtë”.

Prandaj, secila shtëpi në Veri do të duhej të pajisej me njësorë që kontrollohen.

“Nuk duhet të pritet më, pasi ka shumë dëme për KOSTT-in dhe buxhetin e Kosovës”.

“Paaftësi qeverisëse, paaftësi menaxhuese, paaftësi implementuese”

Opozita aktuale ka kritikuar qeverinë për mos-zgjidhje të problemit, por në fakt as qeveritë paraprake s’kanë bërë gjë. Madje, në të kaluarën, borxhin e rrymës për veriun e paguanin direkt qytetarët, pasi KEDS ua shpërndante proporcionalisht në fatura konsumatorëve në pjesën tjetër të Kosovës.

Edhe tash paguajnë qytetarët, por përmes shumave që jep qeveria.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh njohës i çështjeve energjetike, Ferat Shala, ka përshtypjen se lejimi i një funksionimi të tillë në atë pjesë, tregon për një sërë paaftësish të Qeverisë aktuale.

“Konsideroj që është paaftësi qeverisëse, paaftësi menaxhuese, paaftësi implementuese marrëveshjet të cilat vetë kjo qeveri i ka nënshkruar e si rezultat i kësaj kemi dëme të mëdha material për konsumatorët e pjesës së tjetër të Kosovës”.

Kritika e tij është për faktin që qeveria përkundër se nënshkroi në Bruksel zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë dhe arriti pajtim me Serbinë, prapë nuk po e zbaton.

“Është viti i dytë ku kemi praktikisht rritje të çmimeve të energjisë dhe në të dy vitet kjo ngritje e çmimit nuk ka ndikuar në pjesën e konsumatorëve në Veri, si rezultat i moszbatimit të udhërrëfyesit të nënshkruar vitin e kaluar nga Qeveria Kurti”.

“Mosimplementimi i zotimeve dhe i marrëveshjeve që kanë të bëjnë me këtë problematik kanë bërë që pjesa e konsumatorëve të Veriut të jenë të padëgjueshëm në raport me obligimet dhe me të gjitha përgjegjësitë ligjore”, deklaron Shala për AP.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Përveç konsumatorit i dëmtuar mbetet edhe buxheti i Kosovës.

“Dëme të mëdha buxhetore dhe qindra milionë euro kanë shkuar vetëm vitin e kaluar dhe humbje e madhe parashihet edhe këtë vit”.

“Përfundimisht sektori energjetik në vend dhe veçanërisht KOSTT-i dhe disa institucione të tjera janë në pozicion të palakmueshëm edhe financiar, politik por edhe menaxherial”.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në KOSTT për t’u informuar rreth buxhetit të humbur deri tani nga mospagesa e faturave të energjisë në Veri, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Mos faturimi i konsumatorëve të energjisë elektrike në Veri të Kosovës nga ana e KEDS-it nuk është problemi i vetëm me mos qasjen e operatorit të Kosovës në atë pjesë.

Një tjetër, shumë më i rëndësishëm, është mos kontrollimi i nën-stacionit të Vallaçit që gjendet në veri, nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje është synuar që të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës.

Ndër vite, borxhi i veriut për energji ishte paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 ishte marrë vendim që të paguhet nga Qeveria e Kosovës.

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në këtë pjesë shkon deri në 12 milionë euro në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore