Lajme

KFOR: Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar në veri – 30 ushtarë të lënduar


Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar në veri të Kosovës, thuhet në komunikatën për medie të misioni paqeruajtës të KFOR-it, duke bërë thirrje që të “parandalohet përshkallëzimi i mëtejmë i situatës”.

Sipas kësaj komunikate KFOR ka njoftuar se të hënë në Zveçan janë plagosur 30 ushtarë të tyre, me lëndime të rënda, por jashtë rrezikut për jetën.

“11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”,

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapo zgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën.

“Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje njoftimit publik të këtij misioni.

“KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, përfundon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore