Gjykata Speciale

E pranoi se ka gabuar në raportin e tij për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja dhe ka hartuar raporte duke cituar mediat serbe, Abrahams përfundon dëshminë për këtë javë


Frederick Abrahams

Zyrtari i organizatës ndërkombëtare jo-qeveritare që kryen kërkime dhe avokon mbi të drejtat e njeriut – Human Rights Watch, Frederick Abrahams, e ka përfunduar dëshminë e tij për këtë javë në Gjykatën Speciale në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte.

Gjatë dëshmisë së tij, Abrahams është marr në pyetje nga avokati Ben Emmerson që e mbron ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, derisa e ka pranuar se ka gabuar në raportin e tij për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja dhe se ka hartuar raporte duke cituar mediat serbe për “ndalime dhe abuzime” në vitin 1998 duke i cituar mediat serbe.

“Është e saktë, së pari dua të di për cilën media bëhet fjalë. Sepse në punën tonë kemi bërë dallim midis mediave shtetërore. Bënim dallim mes mediave, sepse shteti kishte kontroll të fortë, dhe kishte organe të tjera mediale që ishin më të pavarura”, tha ai.

“Ne kemi intervistuar edhe gazetarë të tjerë dhe kemi paraqitur edhe burime të tjera. Ne besonim që kishte informacione mjaftueshëm për t’u mbështetur në këto abuzime të pretenduara për zhdukjen e disa personave”.

Avokati po ashtu e ka pyetur dëshmitarin se pse i ka cituar mediat serbe që ishin të ndikuara nga ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Millosheviç.

“Keni përfshirë edhe raportimet e televizionit shtetëror serb RTS, pjesa me madhe programit thotë se masakra në Obri është inskenuar nga mediat perëndimore ose nga terroristët shqiptarë. Mediat serbe pretendonin që ishte krim i inskenuar. Nga e vlerësuat besueshmërinë e këtyre burimeve ju?”, ka pyetur Emmerson dëshmitarin.

Abrahams është përgjigjur duke thënë se “hetimi i krimeve” të pretenduara të kryera nga UÇK-ja ishte i vështirë.

“Në atë kohë ne e kishim të paqartë. Ne nuk kishim prova që urdhëratë ishin nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së”, u përgjigj ai.

Avokati Emmerson e ka pyetur dëshmitarin edhe për raportin e Dick Martyt, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku pretendohet se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Ben Emmerson

Por, Abrahams theksoi se raporti i Dick Marytt nuk ishte “fundi i historisë”, me që sipas tij, raporti dërgoi në krijimin e task-forcës speciale hetimore të BE-së.

“Nëse shohim deklaratën përmbyllëse të Williamsonit thuhet shumë qartë se konstatimet e tyre, thuhet që gjetjet janë përgjithësisht në raportet me raportin e Dick Martyt. Janë intervistuar qindra njerëz nga Task Forca”, tha ai,

Ai do vazhdojë dëshminë e tij të hënën dhe do merret në pyetje nga avokatët e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Abrahams edhe të mërkurën ka folur për raportet e tij, të cilat po ashtu e pranoi se ishin të shkruara nga të dhëna të shtetit serb.

I pyetur nga avokati se atëherë me këto raporte ju thjesht paskeni ricikluar propagandën serbe, Abrahams e pranoi se “do të duhej ta shkruaja ndryshe”.

Ai u pyet përse u bazuan në shtetin serb për të dhëna dhe nuk konfirmuan vetë në vendin e ngjarjes, Abrahams tha se ata nuk i la ushtria serbe të afroheshin tek vendngjarja.

Raportet e HRW janë marrë gjithmonë si shumë kredibile në Kosovë, por pranimi i autorit të tyre se pjesa kryesore e të dhënave kanë qenë të ofruara nga Serbia, ka vënë tashmë në pikëpyetje të madhe vërtetësinë e tyre.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore