Muzikë

Plot 20 vjet me “ReMusica”


Ka filluar të mbahet edicioni i 20-të i festivalit ndërkombëtar “ReMusica”, i cili është një nga shtyllat kryesore të jetës kulturore në Kosovë, me fokus të veçantë në muzikën klasike.

Për dallim nga viti i kaluar kur festivali ishte shpalosur i tëri me metoda virtuale, kësaj herë, “ReMusica”, evenimenti që ka nisur të shfaqet që nga 13 shtatori e që do të vazhdojë deri më 22 shtator, ka ardhur me një program të kombinuar (Edicion Hibrid).

Festivali internacional – “ReMusica 2021”.

Disa prej prej aktiviteteve do të mbahen me prezencë fizike të tilla si punëtoritë e ligjëratat, ndërsa pjesa e koncerteve do të realizohet në skenën e “ReMusicas”, vetëm se në formë dixhitale.

Në një intervistë për Albanian Post, koordinatori i festivalit “ReMusica”, Shaban Behramaj, ka zbuluar se ekipi organizativ i këtij evenimenti kishin planifikuar një kremte të madhe për nder të 20-vjetorit, por që ideja nuk u realizua si pasojë e situatës së përkeqësuar me pandemi në Republikën e Kosovës.

Shaban Behramaj – Koordinator i festivalit të muzikës “ReMusica”

“’ReMusica’ ka paraparë një program të mirë përzgjedhur me interpretues vendor e të huaj dhe si çdo herë duke u përpjekur të sjellim një kualitet të lartë të artistik”.

“Fatkeqësisht kësaj here edhe pse është 20 vjetori i festivalit dhe është një vit jubilar, plani ka qenë të bëhet një festë e madhe, por masat e reja na ndaluan që ta bëjmë ashtu siç e kishim menduar. Por, prapëseprapë ne vijmë te publiku edhe në forma digjitale. E rëndësishme të jemi pranë tyre”, ka thënë Behramaj.

Madje, masat e shtrënguara anti COVID-19 dhe rritja e rasteve me persona të infektuar me Coronavirus, ndikuan negativisht edhe në pjesën e të ftuarve të artistëve të huaj, duke e pamundësuar ardhjen e tyre në Kosovë.

Kjo bëri që ekipi organizativ i festivalit “ReMusica” të udhëtojnë drejt shteteve të artistëve për t’i xhiruar live performancat e tyre interpretuese.

Festivali internacional -“ReMusica 2021”.

“Masat e reja ndikuan keq në organizim, pasi që disa prej artistëve nuk kanë pasur mundësinë të udhëtojnë drejt Kosovës. Dy ansamble, një duo nga Franca dhe një kuartet nga Gjermania, kanë anuluar ardhjen e tyre për arsye të sigurisë së shëndetit personal”.

“Por, ne kemi shkuar atje dhe e kemi bërë xhirimin e koncerteve, të cilat do të shfaqen sipas agjendës së festivalit, përgjatë netëve të tij”, ka thënë ai.

Gjithsesi, përkundër situatës së krijuar për shkak të pandemisë, Shabani, shprehet i lumtur më parapërgatitjet dhe ecurinë e deritanishme të festivalit “ReMusica”.

“Përgatitjet kanë qenë intensive, sidomos në rrethanat e krijuara kohët e fundit”.

“Jemi shumë të lumtur që pas një pune shumë të madhe të ekipit tonë organizativ, kemi arritur që gjithçka të organizojmë ashtu siç duhet dhe ta sjellim ‘ReMusican’ në një formë të këndshme tek publiku”, ka thënë Behramaj.

Festivali “ReMusica 2021”, do të prezantojë disa emra të shquar artistësh vendorë e të huaj, të tillë si sopranoja, Elbunita Kajtazi, Kaltrina Miftari e Tringa Sadiku nga Kosova, Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre Fouchenneret dhe Théo Fouchenneret nga Franca, e plot të tjerë.

Sopranja, Elbunita Kajtazi në skenën e festivalit “ReMusica 2021”.

 

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore