Lajme

Plagosje nga përleshjet e Jeruzalemit, nacionalistët izraelitë bërtasin ‘Vdekje Arabeve’


Pas një nate të dhunshme në Jeruzalem, policia izraelite bëri mbi 50 arrestime. Mjekët palestinezë thanë se 100 persona janë plagosur gjatë përleshjeve të Ramazanit në qytetin që është thelbi i konfliktit izraelito-palestinez.

Nga mbrëmja e së enjtes deri në orët e para të së premtes, policia me veshje për trazira dhe mbi kalë luftoi për të mbajtur larg dy grupe protestuesish. Nga një krah, të rinjtë palestinezë që hidhnin fishekzjarre dhe i vinin zjarrin koshave të plehrave dhe izraelitët ultra-nacionalistë që brohorisnin parulla anti-arabe.

Policia vendosi automjete të blinduara duke spërkatur ujë kundër të dyja grupeve. Palestinezët u mblodhën rreth Portës historike të Damaskut në Jeruzalem dhe qindra izraelitë të krahut të djathtë qëndronin disa qindra metra më larg.

Përleshjet dhe incidentet e tjera të dhunshme midis palestinezëve dhe izraelitëve kanë ndodhur gjatë natës që nga fillimi i muajit të agjërimit mysliman të Ramazanit.

Palestinezët thonë se policia është përpjekur t’i parandalojë ata nga mbajtja e mbledhjeve të zakonshme të mbrëmjes së Ramazanit jashtë Portës së Damaskut, një pikë referimi historike në anën veriore të Qytetit të Vjetër, ngjitur me disa lagje palestineze.

Ndërkohë, videot në mediat sociale që pretendojnë se janë të rinjtë palestinezë që godasin ose sulmojnë hebrenjtë ultra-ortodoksë në qytet kanë shkaktuar protesta nga izraelitët. Sakaq kanë ardhur dhe thirrje nga politikanë të ekstremit të djathtë për veprime më të ashpra policore.

Dhuna duket se i la vendin qetësisë relative nga mesi i ditës së premte. Rreth 60 mijë adhurues myslimanë po parakalonin policinë në Qytetin e Vjetër për të marrë pjesë në faljet e mesditës në Xhaminë Al-Aqsa.

Por me më shumë përplasje që priten më vonë, incidentet kërcënojnë të prishin një periudhë të qëndrueshme e relativisht të qetë në qytetin e shenjtë.

Të enjten në mbrëmje, qindra izraelitë ultra-nacionalistë marshuan përmes Jeruzalemit qendror drejt Portës së Damaskut, të cilën policia e kishte barrikaduar si një masë paraprake.

Ndërsa marshonin, shumë njerëz brohorisnin “Vdekje Arabeve” dhe disa tundnin pankarta me leximin: “Vdekje terroristëve”.

Një pjesëmarrës, David, 40 vjeç, tha se ai jetonte larg Jeruzalemit por “erdhi këtu për të mbështetur popullin tim”, duke shtuar: “Unë jam hebre dhe jam një patriot dhe jam krenar për vendin tim.”

Policia gjuajti ujë të dobët ndaj Izraelitëve, duke i larguar ata nga pozicioni i tyre në Portën e Re të Qytetit të Vjetër – vetëm 600 metra (jardë) larg nga Palestinezët e mbledhur në Portën e Damaskut – dhe drejt Rrugës Qendrore të Jaffa të Jeruzalemit.

Reagimi i SHBA-ve

Në një deklaratë në anglisht, hebraisht dhe arabisht, Ambasada Amerikane tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” për dhunën dhe apeloi për sheshimin e saj dhe kthimin e qetësisë.

Parullat anti-arabe solli reagimin e politikanit izraelit të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, i cili tha se ishte “kundër thirrjeve të tilla”, ndërsa mbronte të drejtën e izraelitëve për të protestuar.

Ai i tha stacionit të radios Tel Aviv 102 FM: “Ka shumë arabë mes nesh që janë besnikë. Por unë sigurisht mendoj se ata që linçojnë, rrahin, shkaktojnë dëme, ata duhet të marrin masa të ashpërsuara dhe të dëbohen nga këtu”.

I pyetur se çfarë donte të thoshte me “ashpërsuara”, Ben-Gvir tha se kjo nënkuptonte ndjekjen penale të tyre dhe gjithashtu “nëse ne arrijmë të miratojmë legjislacion, duke i dëbuar ata jashtë vendit”.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore