Lajme

Plaçkiten zyrat e UNMIK-ut në Veri?


Zyrat e UNMIK-ut në ndërtesat komunale në Leposaviq dhe Zubin Potok janë plaçkitur, raporton mediumi serb në Veri, Kosovonline. Zyrtarët e UNMIK-ut i vizituan zyrat javën e kaluar dhe Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka konfirmuar vjedhjen.

“UNMIK-u shprehu shqetësimin e tij tek autoritetet e Kosovës për hyrjen e paautorizuar në objektet e tij dhe përkujtoi se objektet dhe prona e Kombeve të Bashkuara janë të pacenueshme dhe se qasja në ato objekte duhet të mbrohet dhe garantohet gjatë gjithë kohës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të UNMIK-ut për mediumin serb.

Deri në protestat e muajit maj pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit, në katër komunat veriore, UNMIK-u kishte zyra në ndërtesat e kuvendeve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Për këtë çështje Albanian Post ka biseduar me zëvendësdrejtorin e Policisë për veriun, Veton Elshanin, derisa ky i fundit ka theksuar se zyrat janë dëmtuar gjatë muajit maj kur kishte pasur përleshje mes ushtarëve të KFOR-it dhe protestuesve të dhunshëm serbë.

“Janë dëmtuar gjatë majit. Nuk kemi informacione se ka pasur dëmtim të zyrave ditëve të fundit”, tha Eleshani për AP.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it – kryesisht hungarezë dhe italianë – ishin plagosur gjatë ndërhyrjes për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan gjatë muajit maj.

Paqeruajtësit e NATO-s kishin kërkuar nga protestuesit të shpërndahen, por ata nuk patën pranuar dhe patën hedhur gurë, shok-bomba e koktej molotovi në drejtimin e tyre.

Situata ishte tensionuar në Veri pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë kishin protestuar për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe prezencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të objekteve komunale atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore