Art&dizajn

Piktura e van Gogh shfaqet për publikun


Një vepër madhore e Vincent van Gogh në Paris që ka qenë pjesë e koleksionit privat të së njëjtës familje franceze për më shumë se një shekull do të dalë në shfaqje publike për herë të parë që kur u pikturua në pranverën e 1887.

‘Scène de rue à Montmartre’ është pjesë e një serie shumë të rrallë që përshkruan të famshmen ‘Moulin de la Galette’, në majën e kodrës me pamje nga kryeqyteti, pikturuar gjatë dy viteve që artisti holandez kaloi duke ndarë një apartament me vëllain e tij Theo-n në rrugën Lepic.

Blerë nga një koleksionist francez në vitin 1920, piktura ka mbetur në të njëjtën familje që atëherë dhe nuk është shfaqur kurrë për publikun.

Piktura do të ekspozohet në Londër, Amsterdam dhe Paris, përpara se të shitet nga Sotheby’s në Mars ku shifra pritet të arrijë midis 5 deri në 8 milionë Euro.

“Shumë pak piktura nga periudha Montmartre e Van Gogh-ut mbeten në pronësi private – shumica janë në koleksionet e muzeve prestigjioze në të gjithë botën,” tha Aurélie Vandevoorde e departamentit të artit modern dhe impresionist të ankandit në Francë. “Shfaqja në treg e një pikture të këtij kalibri, nga një seri kaq ikonike, padyshim që shënon një ngjarje të madhe.”

Claudia Mercier e shtëpisë së ankandeve, Mirabaud Mercier, e cila është e kontraktuar me shitjen, rrëfeu se vepra ishte “magjepsëse”.

Piktura tregon Moulin Dubray ose Moulin à Poivre, një mulli me erë në Montmartre i shkatërruar në vitin 1911, së bashku me hyrjen e Moulin de la Galette, mbyllur në krye me fenerë dekorativë dhe një karusel pas gardhit prej druri.

Montmartre, i njohur gjithashtu si La Butte, po shndërrohej me shpejtësi në atë kohë nga fshat rural në një zonë argëtuese, të popullarizuar nga parizienët për kafenetë e saj, me një brez artistësh, intelektualësh dhe shkrimtarësh për atmosferën e saj boheme.

Dy vitet e Van Gogh në Paris nga 1886 deri në Shkurt 1888, kur u largua për në Arles, shihen gjerësisht si baza e themelit për stilin e tij unik të mëvonshëm, duke e ekspozuar atë ndaj ndikimit të impresionistëve si Monet dhe Pissarro por edhe një brez të ri artistësh. Përfshirë Paul Signac, Émile Bernard dhe Henri de Toulouse-Lautrec.

Përshtatur për The Guardian nga AlbanianPost

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore