Lajme

Petkoviç e quan “metodë të Albin Kurtit” protestën e fundit në Serbi


Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur "për Kosovën" në Serbim, Petar Petkoviç

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, bllokadat e rrugëve dhe protestat në Serbi i ka quajtur “metoda të dhunshme, si të Albin Kurtit në Kosovë”.

Ai e ka lidhur prezencën e deputetes në Parlamentin e Kosovës nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në Shabac të Serbisë me protestuesit serbë, që sipas tij, “tregon interesin e përbashkët të të dyja grupimeve”.

“Nuk ka dyshim që këto skena të pakënaqshme, bllokada rrugësh dhe dhuna nëpër rrugë e shkaktuar nga disa ‘ambientalistë’ e kanë bërë Prishtinën dhe Albin Kurtin të lumtur”, ka deklaruar Petar Petkoviç, transmeton Tanjug.rs

27 nëntor, 2021, protestë në Beograd

“Për neve nuk është e befasishme që të dërguarit e tij gjejnë gjuhë të përbashkët me një pjesë të skenës opozitare në Serbi. Për opozitën serbe, ekstremistët e Kurtit janë bashkëpunues të pranueshëm”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Ndërkaq përfundoi se “Serbia do të jetë dhe do të mbetet demokratike”.

Sipas tij, situata e protestave dje në Serbi ishte e lidhur me Kryeministrin e Kosovës, dhe shtoi se “metodat e dhunshme të Kurtit nuk do të zënë vend në rrugët dhe vendin e Serbisë”.

Ndërkaq me 27 nëntor u protestua masivisht në Serbi kundër minierës së litiumit Rio Tinto dhe për Ligjin mbi Referendumin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore