Jetesë & Stil

Pesë arsye se pse nuk duhet t’i postoni fëmijët në rrjete sociale


Shumë prindër publikojnë fotografi, video e detaje nga jeta e fëmijëve të tyre në rrjetet sociale duke dashur kështu të jenë sa më të lidhur me të afërmit dhe miqtë. Mediat sociale shpesh shërbejnë edhe në marrjen e këshillave e pse jo edhe për tu ndjerë më pak të vetëm në këtë rol, pasi të qenurit prind është edhe një sfidë në vete.

Prindërit e rinj nxitojnë që të porsalindurit e tyre t’ia prezantojnë botës. Kjo dukuri vërehet shumë edhe në mes artistësh të huaj e shqiptarë, të cilët përveç se publikojnë vetë imazhe të fëmijëve të tyre, u hapin edhe llogari Instagrami.

Ndër të fundit që e kanë bërë këtë gjë, në mesin e shumë të tjerëve, janë reperët Ledri Vula e Mozzik, vajzat e të cilëve kanë nisur të lënë gjurmë në rrjetet sociale qysh në ditët e para të jetës.

Por a është kjo gjëja e duhur për tu bërë? Mbetet e diskutueshme dhe të gjithë kanë pikëpamjet e tyre.

Megjithatë, aplikacioni për fëmijë Jellies, rendit pesë arsyet kryesore se pse nuk duhet që të publikohen fotografi e informata të tjera për fëmijët tuaj në rrjetet sociale.

Postimi në Mediat Sociale mund të cenojë privatësinë e fëmijës suaj

Derisa fëmijët e vegjël nuk mund të japin mendim karshi asaj se çka prindërit publikojnë rreth tyre në rrjetet sociale, megjithatë qëndrimi mund t’iu ndryshojë gjatë rritjes së tyre. Sipas Common Sense Media, kur fëmijët i afrohen moshës pesë vjeçare, ata fillojnë të zhvillojnë një ndjenjë të vetvetes si individë dhe se si bota i percepton ata. Privatësia e tyre bëhet më shqetësuese. Ata mund të fillojnë të ndihen të sikletosur për përmbajtjen që prindërit e tyre kanë postuar për ta në rrjetet sociale, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të fëmijërisë së hershme, fotografive qesharake dhe momenteve interesante nëpër të cilat ata kalojnë gjatë rritjes.

Përzgjedhja e gabuar e përmbajtjes gjatë publikimit në rrjetet sociale mund të bëjë që fëmijët tuaj të ndjehen jokomod me ekspozimin dhe të pafuqishëm të ndryshojnë ndonjë gjë. Ata realisht në një moshë aq të vogël, nuk kanë mundësi ta shprehin mospajtimin e tyre me prindërit edhe kur prindërit postojnë fotografi gjatë kohës që fëmijët janë në tualet apo edhe fotografi të tjera të ndjeshme. Gjithashtu ata e kanë të pamundur të flasin edhe kur prindërit e tyre i veshin me rroba të cilat përmbajnë shenja e slogane politike. A e keni menduar si do të ndihen ata kur të rriten dhe t’i shohin të gjitha këto në faqet tuaja të Facebook?

Postimet e tuaja mund të përdoren edhe si ngacmime apo bulizëm

Ju gjithashtu duhet të shqetësoheni edhe se si të tjerët mund të reagojnë ndaj gjërave që ju i ndani rreth fëmijëve tuaj në rrjetet sociale. Nëse fëmija juaj interesohet për fotografitë e vjetra dhe historitë rreth tyre në mediat sociale, të tjerët mund të jenë në gjendje ta përdorin atë informacion për ta tallur, fyer dhe madje ngacmuar fëmijën tuaj ndërkohë që ai ose ajo është duke u rritur.

Këtu shtrohet pyetja: Çfarë mund t’i ndalojë miqtë tuaj virtualë nga shpërndarja e fotografive të fëmijëve tuaj? Po sikur ajo foto të marrë hov shpërndarjeje dhe bëhet virale? Kjo është nga gjërat që mund t’i pengojnë fëmijës tuaj.

Mesazhet në rrjetet sociale mund të kenë impakt në të ardhmen e fëmijës tuaj

Nëse jo e pamundur, patjetër që është e vështirë të kontrollosh informacionin pasi ta kesh postuar në internet. Ju nuk mund ta ndaloni dot askënd që ta ruajë një postim tuajin dhe ta shpërndajë atë ne rrjete ku as ju vet nuk ja keni idenë se ku mund të përfundojnë.

Postimet tuaja “të fshira”, megjithëse mund të duken sikur janë zhdukur nga profili juaj i mediave sociale, ato mund të vazhdojnë të jetojnë në faqet e internetit të arkivave të internetit dhe në vetë serverët e mediave sociale. Duke pasur këtë në mendje, duhet ta merrni parasysh se si fotografitë dhe historitë tuaja mund të ndikojnë tek fëmija juaj kur të rritet, e sidomos në moshën e pubertetit.

“Realiteti është se të dhënat e ndara nga prindërit mund të zbulohen nga algoritmet e kërkimit në Google në vitet në vijim. Dhe ne nuk e dimë se cilat mund të jenë qëllimet e fëmijëve tanë kur ata të rriten”, thotë Stacey Steinberg, një drejtor i asocuar për Qendrën për Fëmijët dhe Familjet në Universitetin e Florida Levin College of Laë, për portalin Jellies, transmeton Albanian Post.

Prindërit duhet të mendojnë se si punëdhënësit potencialë mund të reagojnë në gjetjen e disa momenteve të ndjeshme të fëmijërisë të cilat janë të ekspozuara në mediat sociale. Ata gjithashtu duhet të pyesin veten se si postimet e tyre mund të ndikojnë në fëmijën e tyre nëse ai ose ajo vendos ndonjëherë të kandidojë për zyra publike ose të bëjë një jetë më publike.

Shpërndarja e postimeve tuaja e vë fëmijën tuaj në rrezik për kidnapim digjital



Rrëmbimi digjital është një lloj i vjedhjes së identitetit. Ky fenomen ndodh kur dikush merr fotografi të një fëmije nga mediat sociale dhe i ri-përdor ato me emra dhe identitete të reja, shpesh duke e pretenduar fëmijën si të tyrin. Ka pasur shembuj të shumtë të kësaj natyre në vitet e fundit, duke përfshirë një incident të vitit 2015 në të cilin një i huaj e mori fotografinë e një fëmije 18 muajsh nga faqja e një nëne blogere në Facebook dhe e postoi atë në profilin e saj poashtu në Facebook, duke pretenduar sikur ai ishte djali i saj.

Postimet tuaja në mediat sociale mund të tërheqin njerëz të rrezikshëm

Fotografitë dhe videot e fëmijëve të shpërndara nga prindërit e tyre në rrjetet sociale ndonjëherë bëhen pjesë e faqeve dhe forumeve të ndryshme përfshirë ato kushtuar pornografisë së fëmijëve. Një rast i tillë ka ndodhur edhe me një nënë nga Nashville të Shteteve të Bashkuara, e cila u përpoq ta gjurmonte identitetin e një të panjohuri që kishte shpërndarë një fotografi të vajzës së saj. Duke gjurmuar ajo e pa se faqja i përkiste një burri në Kinë. Në këtë faqe ajo e gjeti fotografinë e vajzës së saj, e plot fotografi të tjera përveç asaj.

Ndonjëherë lehtësisht harrojmë se me postimet në rrjetet sociale mund të përcjellim informata tek njerëz të panjohur të cilët me anë të tyre identifikojnë se ku jeton e luan, si dhe në cilën shkollë shkon fëmija juaj. Kjo mund ta vërë në rrezik fëmijën tuaj.

Gjithsesi, edhe nëse keni vendosur që të publikoni imazhe e të zbuloni grimca privatësie të fëmijës tuaj në rrjete sociale, më poshtë u ofrohen disa këshilla:


Çfarë duhet të bëni para se të publikoni diçka për fëmijën tuaj në rrjetet sociale?

Është e kuptueshme të dëshironi të ndani momente me familjen tuaj në mediat sociale. Por nëse vendosni të ndani, provoni të pyesni fëmijët tuaj me çfarë janë rehat dhe merrni disa masa paraprake. Kushtojini vëmendje cilësimeve të privatësisë në faqet tuaja të mediave sociale. Zgjedhni fotografitë me kujdes dhe mundohuni t’i zgjedhni me kujdes opsionet që rrjetet sociale ua ofrojnë rreth privatësisë. Gjithashtu filloni ta përfshini fëmijën tuaj vetëm në postimet e përshtatshme për tu ndarë me të tjerët. Ju duhet ta përgatisni fëmijën tuaj për epokën dixhitale, megjithatë duhet pasur kujdes të shtuar se si ekspozoni ata. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore