Kosova

Përurohet Shtegu i Lirisë “Pashtriku” në Has, Kurti: Dëshmorëve ua kemi borxh gëzimin e lirisë


Albin Kurti gjate perurimit te Shtegut te Lirise

Në malin Pashtrik – Has – është përuruar Shtegu i Lirisë “Pashtriku”, ku 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ishin duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.

Përmes këtij Shtegu të Lirisë përkujtohen sakrificat dhe heroizmi i luftëtarëve të UÇK-së, por që do të shërbejë edhe si pistë për garat me motoçikleta.

Në këtë përurim, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por edhe kryetari i Bashkësisë së Krumës, Miftar Dautaj.

Në fjalën e tij, kryeministri ka thënë se “jemi ne populli pasardhësit e UÇK-së, të cilët kremtojmë edhe çlirimin e vendit tonë por njëkohësisht përkujtojmë sakrificën, flijimin, rënien heroike të atyre dëshmorëve të cilëve ua kemi borxh edhe gëzimin e lirisë edhe shtetin që e gëzojmë”.

“Lavdi gjithë dëshmorëve të UÇK-së dhe u qoftë i mbarë rrugëtimi të gjithë motoçiklistëve”, tha Kurti.

Ndërsa, Dauti ka theksuar se shtegu nuk është vetëm vend përkujtimi e nderimi, por edhe një frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Një shteg që ka një domethënie jashtëzakonisht të madhe, një shteg që do të përjetësohet me emrin tij dhe brezat që do të vijnë mbrapa duke u nisur nga emri i shtegut lirisë do t’i kujtojnë vuajtjet që ka kaluar populli Kosovës për të arritur në këtë ditë, ku sot ne po gjejmë rrugë të ndryshme që të bashkojmë kufirin e shqiptarëve mes veti dhe të heqim barrierat që kemi pasur deri më sot”, theksoi ai.

Shtegu i Lirisë në Pashtrik, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit.

Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, të shtunën për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore