Lajme

Përparim Rama betohet si kryetar i Prishtinës


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Përparim Rama tashmë zyrtarisht ka marrë detyrën e kryetarit të komunës së Prishtinës.

Teksa dha betimin si kryetar i cili do të qeverisë për katër vjetët e ardhme në kryeqytetin e Kosovës, në këtë ceremoni inaguruese, Rama tha se “prej sot zëri i qytetarëve, vullneti i mirë për të bërë ndryshime të mbara e afatgjata në Prishtinën tonë të zemrës nuk është më moto e fushatës por zotim i imi dhe ekipit tim”.

“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, u betua Rama.

“Jam i vetëdijshëm që kjo detyrë përtej privilegjit është obligim serioz dhe sfidë e madhe të cilës do t’i vihemi përpara me punë të ndershme, profesionalizëm dhe dinjitet”, shtoi ai.

Teksa falënderoi qytetarët dhe shprehu mirënjohje për ta, Rama theksoi se guximi i tyre për të ndryshuar mos të ndalet këtu.

“Guximi me ia dashtë të mirën e vendit tonë mos të ndalet këtu, ajo çka na bashkoi gjatë fushatës, për me ia ndërruar të bukurën, për të shpresuar për një të ardhme më të mirë është forca që do të na duhet në vazhdim, forca e unitetit, sinqeritet e bashkimit”.

Perparim Rama – kryetar i komunës së Prishtinës

“Jam i vetëdijshëm që sfidat do të jenë të shumta, por vullneti për të bërë shumë punë, dhe guximi për ta bërë realitet vizionin për Prishtinën gjithëpërfshirëse është shumëfish më i fortë se çdo sfidë, sepse është dëshira e të gjithëve”.

Ai theksoi se që nga e marta e shtatë dhjetorit, do t’i përvishet punës si kryetar i Prishtinës.

“Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, i prindërve, i të moshuarve, sportistëve, artistëve, vend plot gjallëri, qytet i zhvilluar ekonomikisht, i gjelbër, i mençur, me trafik të komunikueshëm, e i digjitalizuar”.

“Si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunoj me secilin prej asamblistëve për të mirën e kryeqytetit i mirëpres të gjithë pa dallime për të çuar përpara projektet që na përmisojnë jetën e të gjithëve”.

Ai po ashtu, u ka bërë ftesë të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile që të bashkëngjiten në qeverisjen e tij.

“Misioni i ekipit tonë është që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe ta shndërrojmë Prishtinën në një qytet me karakter unik në botë”, përfundoi Rama.

I pranishëm ishte edhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Perparim Rama -kryetar i Prishtinës, dhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Teksa ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ia dorëzoi detyrën tashmë kryetarit të ri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, Ahmeti ia dha edhe një dhuratë këtij të fundit.

Ahmeti ia ka dorëzuar një tastaturë Ramës, por, me dy shkronja më pak.

Shkronjat që mungojnë në këtë tastaturë janë pikërisht inicialet e Përparim Ramës.

“Përparimit, tastaturën po ia dorëzoj, por ia kam larguar shkronjat P dhe R, në mënyrë që mos të mund të shkruaj emrin dhe mbiemrin e tij”, është shprehur Ahmeti.

Shpend Ahmeti ia dorëzon tastaturën Përparim Ramës, në mungesë të shkronjave

Derisa Rama e pranoi këtë “dhuratë”, ai tha se me të njëjtat shkronja përbëhet edhe emri i kryeqytetit.

“Është edhe Prishtina, aty është problemi”, theksoi Rama.

Teksa, u mbajt ceremonia përuruese e Ramës, ish kundër kandidatët e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, dhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, munguan në sallë.

Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të fitojë në balotazh me 50.98 për qind të votave të përgjithshme, teksa la pas kundër kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, i cili arriti të marrë 49.02 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore