Lajme

Përmbyllet i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën


Foto: Albanian Post

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është botuar të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Përmes këtij veprimi përmbyllet formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi i botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së është ai që u nënshkrua më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.

Në vendim shkruan se “përjashtimi nga nevoja për viza”, pra liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Evropë – ETIAS, apo deri më 1 janar, 2024.

Që do të thotë se ky vendim pritet të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2024, prej kur qytetarët e Kosovës do të posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës dhe do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Ceremonia e nënshkrimit të vizave në Parlamentin Evropian.

Nëse funksionalizimi i ETIAS-it shtyhet përtej 1 janarit, 2024 – gjë që edhe pritet të ndodhë, hyrja në fuqi e liberalizimit nuk do të shtyhet përtej asaj date.

Parlamenti Evropian miratoi të martën e 18 prillit vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo do të thotë se procedurat vendimmarrëse për këtë çështje tani do të përmbyllen. Gjithashtu, miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Një ditë më vonë, më 19 prill, u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe hyrja në fuqi e tij.

Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive në Prishtinë ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore