Lajme

Përjashtimi i Kosovës nga “Defender Europe 23”, Maqedonci: FSK-ja s’pësoi lëndime në aspektin operacional


Ejup Maqedonci

Muaj më parë Kosova u përjashtua nga stërvitja ushtarake ndërkombëtare i udhëhequr nga NATO “Defender Europe 23” si pasojë e parë për Qeverinë e Kosovës pas vendimit për të instaluar kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore nën asistencën e Policisë së Kosovës, megjithatë sipas ministrit të ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është penalizuar në aspektin operacional.

Përjashtimi i Kosovës nga stërvitja më e madhe të aleatëve të NATO-s në Ballkan, sipas Maqedoncit, ka qenë më shumë një reagim ndaj situatës, sesa ndonjë shkaktim i ndonjë lëndimi ndaj FSK-së në aspektin operacional.

“’Defender Europe 23’ si aktivitet nuk është anuluar, është anuluar pjesa përfundimtare e këtij ushtrimi që ka qenë dita e hapur për media dhe vizitorë të shquar për të përcjellë aktivitetin e ‘Defender Europe 23’. Në aspektin operacional aktivitetet kanë përfunduar të gjitha deri në atë kohë, nuk jemi penalizuar në aspektin operacional ishte më shumë një reagim ndaj situatës”, ka shpjeguar ai.

Maqedonci ka bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes do të merr pjesë në konferencat planifikuese gjatë kësaj vjeshte për “Defender Europe 25”.

“Jam i bindur që do të vazhdojmë me të njëjtën ritëm të bashkëpunimit me SHBA-të sa i përket ushtrimeve dhe trajnimeve”.

Në konferencën e parë për media që nga marrja e detyrës së ministrit Maqedonci theksoi se qëllimi dhe fokusi i dikasterit të cilën ai do të drejtoj për kohën e mbetur do të jetë integrimi në NATO.

Megjithatë, sipas tij rruga drejtë anëtarësimit në Aleancën Veri – Atlantike nuk do të varet vetëm nga kapacitetet dhe përgatitjet e FSK-së.

“Anëtarësimi në NATO varet edhe prej shumë faktorëve të tjerë, përfshirë edhe faktorin e njohjes, ne jemi të vetëdijshme që ekzistojnë vende mos-njohëse që janë brenda NATO-s, të cilët vazhdojnë të hezitojnë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm”.

Maqedonci, gjithë në këtë mes, ka theksuar se duhet të kihet parasysh se pikë së pari NATO-ja është aleancë politike, e ndërsa në aspektin ushtarak FSK-ja ka plotësuar dhe po vazhdon të plotësojë të gjitha standardet që një vend i NATO-s i ka.

Ndër të tjera Maqedonci ka thënë se në gjysmë mandatin e tij do të vazhdojë në katër objektivat e vendosura nga Qeveria, dy që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes dhe dy të tjera me zhvillimin e FSK-së.

“Ne kemi validuar një regjiment gjatë këtij viti dhe do të vazhdojmë validimin e dy regjimenteve të tjera të këmbësorisë dhe roli i Ministrisë së Mbrojtjes në këtë aspekt do të jetë krucial për mbështetjen e FSK-së për zhvillimin e kapaciteteve. Kapacitetet e reja do të ndërtohen në përputhje me standardet e NATO-s, në bashkëpunim me aleatët dhe do të jenë kapacitete të cilat do të vihen në dispozicion të të vendit tonë për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit, si dhe në dispozicion të aleatëve tanë me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe paqes globale”, tha ai.

Sipas tij, tjetër objektiv që lidhet me forcën është ruajtja e kapaciteteve aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore