Shqipëria

Përherë përkrah njëri-tjetrit


Përhapja e zjarrit në zonën malore në Kukës, natën e së hënës, ka mobilizuar autoritetet kosovare për t’u dalë në ndihmë zjarrfikësve dhe banorëve të Shqipërisë për të futur nën kontroll situatën.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar mobilizim të ekipeve urgjenteve të zjarrfikësve. Në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka thënë se Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka përgatitur trupat, duke shtuar se në Shqipëri tashmë kanë arritur ekipet e para.

“Republika e Shqipërisë po përballet me problematikën e zjarreve tash e disa ditë. Natyrisht, se ndihma ndaj njëri tjetrit në situata të tilla është e domosdoshme. Prandaj, sot si Ministër i  MPB-së, kam kërkuar një mobilizim urgjent të ekipeve të zjarrfikësve, si përgjigje ndaj kërkesës urgjente të autoriteteve shqiptare për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit, në luftimin e zjarreve”.

“Qendra Operative e MPB-së, në bashkëpunim me atë të AME-së, kanë përgatitur trupat për dislokim në Republikën e Shqipërisë, konkretisht në Qarkun e Kukësit për mbështetjen e autoriteteve vendore në luftimin e zjarreve”, ka thënë Sveçla.

“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet dhe sapo kanë arritur atje ekipet e para të zjarrfikësve sipas kërkesave. Ne do të jemi përherë përkrah njëri-tjetrit, në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”, ka përfunduar Sveçla.

Shqipëria, njëjtë si Kosova dhe disa vende të Evropës e botës, po përballen me zjarrin tash e disa ditë.

Përveç zjarrfikësve, nga Kosova janë nisur edhe trupa të Forcës së Sigurisë.

“I nisëm trupat tona të Forcave të Sigurisë së Kosovës në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë”.

Ka deklaruar një natë më parë ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.

“Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, Niko Peleshin, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Kosovës më në krye kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani”, shkruan ministri Mehaj.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka inspektuar nga afër situatën e zjarrit në Kalimash mbrëmë në orët e vona të natës.

Ai tha se tuneli i Kalimashit është plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt, derisa ka falënderuar zjarrfikësit nga Kosova që kanë shkuar drejt Shqipërisë për t’i dalë në ndihmë.

“Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt. Falenderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës. Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë”, ka shkruar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore