Kosova

Përgatitje për të paparashikueshmen


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e hapjes së stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, theksoi se ky ushtrim për zhvillohet 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë, prandaj sipas tij, “përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme”.

“Defender Europe 2021 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e saj për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Përgatitja për t’u përballur me kërcënime është e domosdoshme”, tha Kurti.

“Siguria e Evropës është synim i yni si shtet që beson në atë që e do. Të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjin”.

Ai ka potencuar se FSK-ja në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrësve sa i përket numrit të personelit.

“Edhe ky togfjalëshi ‘stronger together’, bashkë më të fortë, është veçse variacion e jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Demokracia, shoqëria, e vlerat njerëzore kanë nevojë më shumë se kurrë për ushtrinë. Sepse, demokracia është sistemi më i brishtë, sepse është sistemi më i hapur”, shtoi ai.

“Duke mos i harruar mësimet nga historia jonë kombëtar dhe ajo e mbarë njerëzimit, të jemi të bashkuar me vullnet e disiplinë më të lartë në zhvillimin e përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për gjithë ne”, potencoi Kurti.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nisja e kësaj stërvitje përkon me 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës e cila sipas saj, është ditë e freskët sa ndërhyrja e forcave ushtarake të NATO-s kundër regjimit të Slobodan Milosheviç-it.

“Ne ishim viktima, kurse regjimi i Slobodan Milosheviçit ishte agresori e lufta jonë ishte luftë për liri, kjo është e vërteta e vetme”, tha Osmani.

“Sot deri sa i shohim ushtarët e FSK-së dua të sjell në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e UÇK-së që e rikthyen identitetin tonë, të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari”, shtoi ajo.

Sipas saj, pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje përkrah shumë trupave të vendeve aleate, konfirmon besimin e ShBA-së ndaj Kosovës dhe FSK-së.

“Ne viktima, Millosheviçi agresori – kjo është e vërteta e vetme”

Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që do të mbahet nga kjo e diele deri më 2 qershor, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nis në Prishtinë “Defender Europe ’23”, ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore