Lajme

Përfundon takimi trepalësh në Bruksel


Ka përfunduar takimi në Bruskel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, homologut të tij serb, Petar Petkoviç dhe ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse do ketë një konferencë për media.

Ky takim vjen pas vizitës dy-ditore të Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd.

Ai e bëri të qartë gjatë vizitës se takimet me Albin Kurtin në Kosovë dhe udhëheqësit politik në Serbi kishin të bëjnë me dakordimin për temat e radhës, veçanërisht vazhdimi i negocimit për modelet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Bislimi dhe Petkoviç në takimin e fundit ishin pajtuar për Deklaratën për Personat e Pagjetur – një zotim i kahershëm për t’u marrë me çështjen e personave të zhdukur me dhunë nga lufta në Kosovë – e cila u miratua në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në takimin e nivelit të larë të asaj dite ishte paraqitur edhe Draft-Statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e hartoi Ekipi Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë nga Partia Progresiste Serbe.

Diplomatët evropiano-amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Kosova dhe Serbia veçse kanë filluar ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e pikave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë rrugën për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore