Lajme

Përfundon dislokimin katërmujor batalioni i rezervistëve të KFOR-it


KFOR-i.

Njësia e KFOR-it e batalionit të rezervistëve operacional të Italisë, ka përfunduar dislokimin katër mujor me një ceremoni të organizuar në Pejë.

Kjo njësi përbehej nga regjimenti 186 i parashutistëve italianë “Folgore” dhe personal shtesë nga ushtria italiane.

Gjatë ceremonisë koloneli Gjovanni Corrado, komandant i regjimentit “Folgore”, është nderuar me medaljen e NATO-së në shenjë mirënjohje për shërbimet e tij.

Ai gjatë fjalimit të tij e vlerësoi punën e grupit të udhëhequr nga ai.

“Do të doja që ky të ishte një moment njohjeje e shpirtit me të cilin ky grup i shkëlqyer dhe heterogjen njerëzish u përball dhe realizoi misionin e tyre”, tha ai.

Edhe zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Bernacca, shprehu mirënjohjen e tij për kolonelin Corrado dhe trupat e tij.

“Gra dhe burra të Batalionit të Rezervës Operacionale, veprimet tuaja të përditshme kanë treguar besueshmërinë dhe efektivitetin e rolit tuaj. Ju jeni përballur me sfidën dhe keni nderuar prestigjin e flamurit italian në këtë rajon me rëndësi strategjike për aleancën, me shërbimin tuaj të pakushtëzuar”.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe autoritete të shumta civile dhe ushtarake.

“Duke përfshirë komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Gjeneral Major Pietro Barbano, komandantin e Komandës Rajonale të KFOR-it në Perëndim, kolonel Francesco Ferrara, komandantin e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe, kolonel Massimo Rosati dhe komandanti i Policisë Ushtarake të Komandës Rajonale Perëndimore, major Francesco Giangreco”, thuhet në komunikatë.

Më 5 dhjetor të 2023-ës, misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), kishte njoftuar se një batalion i ushtrisë Italiane ka zbarkuar në Kosovë në kudër të KFOR-it.

Ky zbarkim ka ardhur pas vendimit të Aleancës Veri – Atlantike si për të rritur prezencën e saj në Kosovë.

Nga KFOR-i është thënë se do të vazhdoj zbatimin e mandatit bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i në Kosovë, është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore