Lajme

Batalioni italian zbarkon në Kosovë në kuadër të KFOR-it


Batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, të martën, ka njoftuar se një batalion i ushtrisë Italiane ka zbarkuar në Kosovë në kudër të KFOR-it.

Ky zbarkim ka ardhur pas vendimit të Aleancës Veri – Atlantike si për të rritur prezencën e saj në Kosovë.

Numri i saktë i ushtarëve italianë që kanë zbarkuar në Kosovë nuk është bërë e ditur akoma.

“Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është vendosur në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO KFOR. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Deri më tani Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që tashmë stërvitet në Kosovë.

Ndërsa Rumania ka dislokuar gjithashtu rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në pjesën Veriore të Kosovës, përkatësisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit.

Në anën tjetër, Gjermania, Sllovenia kanë paralajmëruar shtimin e trupave të tyre ushtarak në kuadër të KFOR-it gjatë javëve në vijim.

Batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore