Lajme

Përfundojnë protestat në Zveçan dhe Zubin Potok


Protesta në Zubin Potok. Foto nga arkivi.

Protestat e grupeve të serbëve lokalë në Zubin-Potok dhe Zveçan kanë përfunduar për të martën 30 majit.

Ndërsa në Leposaviq është raportuar se po vazhdohet të protestohet, por që aktualisht nuk ka protesta të dhunshme në këtë komunë.

Të martën e 30 majit, është raportuar për një numër më të vogël të protestuesve kundër kryetarëve të rinj shqiptarë në këto komuna.

Nga protestuesit është kërkuar që Kosova të tërheqë njësitë speciale policore nga Veri.

Në Zveçan, një zyrtar i Listës Serbe u kërkoi qytetarëve të tubuar që të shpërndaheshin rreth orës 16:00, duke i ftuar për një protestë të re të mërkurën.

Gjatë ditës kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka sqaruar për Albanian Post, largimin e përkohshëm të flamurit të Kosovës nga objekti i Komunës së Zubin Potokut.

Në një video që qarkullonte, policia hiqte flamurin nga vendi ku ishte vendosur, por ai ka treguar se kjo ndodhi vetëm sa për ta vendosur në një vend tjetër, më lartë në ndërtesë.

“Nuk është hequr, por vetëm është zhvendosur në një pozitë më lartë, për shkak se ka qenë shumë ulët”, tha Zeqiri i cili vetë nuk është në komunë, sepse pas takimit me ambasadorin amerikan, ka vendosur të punojë nga zyra e Ministrisë për Komunitete që gjendet në Zubin Potok.

Është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore