Lajme

Përdhunimi si armë: Shfaqet një shkallë e lartë e dhunës seksuale të përjetuar në Ukrainë


Një foto e shkrepur prej fotografit Mikhail Palinchak, në një autostradë 20 km jashtë kryeqytetit, Kiev, ku ishin përjetësuar trupat e një burri dhe tri grave nën një batanije, tronditi botën të dielën.

“Gratë ishin lakuriq, ndërsa trupat jua kishin djegur pjesërisht”, tha ai.

Kështu, në të gjithë Ukrainën, përveç luftës, grave u kanoset edhe një tjetër rrezik: përdhunimi.

Dita-ditës, provat e dhunës seksuale që dalin nga zonat e rimarra nga forcat ruse, janë në rritje.

Qëkur Kremlini nisi pushtimin e fqinjit të tij më 24 shkurt, ky imazh tronditës përforcon një sërë provash në rritje se ekzekutimet e shkurtra, përdhunimet dhe torturat janë përdorur kundër civilëve në zonat nën kontrollin rus.

Mbetet e vështirë për t’u besuar, por shkalla e dhunës seksuale është e lartë. Ndërsa trupat ruse janë tërhequr nga qytetet dhe periferitë përreth kryeqytetit, me qëllim që të ripërqendrojnë përpjekjet e luftës në lindje të Ukrainës, gratë dhe vajzat kanë dalë përpara për t’i treguar policisë, medias dhe organizatave të të drejtave të njeriut për mizoritë që kanë pësuar nga ushtarët rusë.

Përdhunimet në grup, sulmet me armë dhe përdhunimet e kryera para fëmijëve janë ndër dëshmitë e zymta të mbledhura nga hetuesit.

“Ne kemi pasur disa telefonata në linjën tonë të urgjencës nga gra dhe vajza që kërkojnë ndihmë, por në shumicën e rasteve ka qenë e pamundur t’i ndihmojmë fizikisht. Ne nuk kemi qenë në gjendje t’i arrijmë ata për shkak të luftimeve”, tha Kateryna Cherepakha, presidentja e “La Strada Ukraine” – organizatë bamirëse që mbështet të mbijetuarit e trafikimit, dhunës në familje dhe sulmeve seksuale.

“Përdhunimi është një krim dhe një çështje e stigmatizuar edhe në kohë paqësore. Jam i shqetësuar se ajo që mësojmë, do të jetë vetëm maja e ajsbergut”.

Përdhunimi e sulmi seksual konsiderohen si krime lufte dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, si edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare kanë thënë se do të hapin hetime për dhunën seksuale të raportuar. Por ajo që aktualisht duket si një mundësi e largët e drejtësisë ka bërë pak për të zbutur frikën e grave ukrainase për atë që mund të ndodhë ende në një luftë që nuk ka përfunduar.

Antonina Medvedchuk, 31 vjeç, tha se kur u zgjua nga zhurma e bombardimeve ditën që shpërtheu lufta, gjërat e para që mori me vete, para se të largohej nga Kievi, ishin prezervativët dhe gërshërët për t’i përdorur si armë për të mbrojtur veten.

“Çdo pushim mes shtetrrethimit dhe bombardimeve, unë kërkoja kontracepsion urgjent në vend të një pakete bazë të ndihmës së parë”, tha ajo duke shtuar se, “nëna ime u përpoq të më qetësonte: kjo nuk është një luftë e tillë, kwto nuk ekzistojnë më, janë nga filmat e vjetër. Unë kam qenë feministe për tetë vjet dhe kam qarë në heshtje, sepse të gjitha luftërat janë si kjo”.

Gratë ukrainase nuk mund të mbrohen vetëm nga ushtarët rusë. Në Vinnytsia, qytet në perëndim të vendit, një mësues raportoi në polici se një pjesëtar i shërbimeve të mbrojtjes territoriale e tërhoqi zvarrë në bibliotekën e shkollës dhe u përpoq ta përdhunonte. Burri u arrestua.

Organizata të tilla si “La Strada Ukraine” dhe një rrjet mbarëkombëtar i quajtur “Workshop Feminist” kanë punuar në internet dhe me qeverinë lokale për të shpërndarë informacion në lidhje me mbështetjen mjekësore, ligjore dhe psikologjike të disponueshme për viktimat e sulmeve seksuale dhe po përpiqen të gjejnë strehimore të sigurta për gratë dhe vajzat që ikin nga lufta ashtu edhe dhuna në familje.

Megjithatë, ata kanë frikë se trauma e shkaktuar nga përdorimi i përdhunimit, si një taktikë ushtarake, do të çojë në vuajtje të thella në të gjithë shoqërinë ukrainase për vitet në vijim.

“Kur një grua largohet, duket sikur është e sigurt, ajo është shumë larg armëve dhe burrit që e përdhunoi”, tha Sasha Kantser, menaxhere e marrëdhënieve të jashtme për kapitullin e Lviv të “Workshop-it Feminist”, i cili ka ndihmuar qindra gra dhe vajza të zhvendosura, që kur shpërtheu lufta.

“Por trauma është një bombë brenda saj, që e ndjek. Shkalla e asaj që po ndodh tani është zemërthyese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore