Euro 2020

Të martën përcaktohen çerekfinalistët e fundit në “Euro 2020”, në vëmendje sfida Angli – Gjermani


Faza e 1/16-ve të finales në “Euro 2020”, do të mbyllet me dy ndeshje tejet  interesante, ku Anglia do të përballet me Gjermaninë, si dhe Suedia luan ndaj Ukrainës.

Pa dyshim që e gjithë vëmendja do të jetë në ora 18:00, me super klasiken evropiane mes Anglisë dhe Gjermanisë.

Anglia e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë të Grupit D, me shtatë pikë, duke mposhtur Kroacinë dhe Çekinë me rezultat minimal 1:0, si dhe duke barazuar me Skocinë pa gola.

Interesant është fakti se pavarësisht se u pozicionua e para në grup, anglezët kanë arritur të shënojnë vetëm dy gola në tri ndeshje.

Sa i përket Gjermanisë, ata u pozicionuan në vendin e dytë të Grupit F, apo “grupit të ferrit”, me katër pikë të grumbulluara.

Gjermanët u mposhtën në ndeshjen e parë nga Franca, me rezultat minimal 1:0, pastaj në të dytën deklasuan Portugalinë me shifrat 4:2, kurse në të tretën barazuan ndaj Hungarisë me rezultat 2:2.

Në ndeshjen ndaj Hungarisë, gjermanët ishin të eliminuar nga ky evropian deri në gjashtë minutat e fundit të ndeshjes, kur edhe barazuan rezultatin për të fituar pikën e artë, e cila i kualifikoi tutje.

Për Anglinë, kjo është pjesëmarrja e 10-të në një Kampionati Evropian, derisa për Gjermaninë, kjo është hera e 13-të që merr pjesë në Euro.

Gjermania ka fituar titullin Kampion i Evropës tre herë më parë në vitet 1972, 1980 dhe 1996, ndërsa anglezët nuk kanë shijuar asnjëherë më parë këtë sukses.

Sa i përket ndeshjeve mes tyre, këto dy kombëtare gjigante janë përballur 11 herë mes tyre në ndeshjet e nivelit garues prej të cilave, gjermanët kanë tri fitore, anglezët dy, ndërsa gjashtë takime kanë përfunduar në barazim.

Në ndeshjen e fundit të nivelit garues, Gjermania mposhti Anglinë me rezultat 4:1, në fazën e 1/8ve të finales së Kampionatit Botëror të vitit 2010, ku sfida ishte mbyllur me shumë polemika, pasi gjyqtarët e asaj ndeshje, i mohuan një gol të qartë mesfushorit anglez, Frank Lampard.

Derisa, kujtojmë që këto dy kombëtare, kanë zhvilluar edhe gjashtë ndeshje miqësore në këto vitet e fundit, në të cilat prinë Gjermania me tri fitore, kundrejt dy të Anglisë, si dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Ndeshja tjetër e kësaj mbrëmje, apo e fundit në këtë fazë të “Euro 2020” do të zhvillohet në orën 21:00, ku do të përballen Suedia me Ukrainën.

Suedia mbylli fazën e grupeve në vendin e parë të Grupit E, me shtatë pikë të grumbulluara, duke lënë në vendin e dytë Spanjën me dy pikë më pak.

Suedezët kanë impresionuar me lojën e tyre në fazën e grupeve. Në ndeshjen e parë barazuan pa gola ndaj Spanjës, në të dytën mposhtën Sllovakinë me rezultat minimal 1:0, derisa në të tretën fituan ndaj Polonisë me shifrat 3:2.

Ndërsa Ukraina u kualifikua në këtë fazë me shumë fat, pasi që vetëm falë goldallimit u pozicionuan në mesin e katër skuadrave më të mira të vendeve të treta, duke lënë prapa Finlandën dhe Sllovakinë, me pikë të njëjta.

Ukraina në ndeshjen e parë u mposht nga Holanda me rezultat 3:2, në të dytën fituan ndaj Maqedonisë së Veriut me rezultat 2:1, derisa në të tretën u mposhtën nga Austria 0:1.

Sa i përket pjesëmarrjes në Kampionat Evropian, për suedezët kjo është hera e shtatë, ndërsa për Ukrainën kjo është pjesëmarrja e tretë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Këto dy kombëtare, janë përballur vetëm një herë në një ndeshje të nivelit garues dhe ajo ishte në Kampionatin Evropian të vitit 2012, të cilën e fitoi Ukraina me shifrat 2:1, me golat që i realizoi, trajneri i tashëm i tyre, Andriy Shevchenko, kurse për suedezët shënoi Ibrahimovic.

Kujtojmë që fituesit e këtyre dy përballjeve, do të takohen mes vete në fazën çerekfinale të këtij Kampionati spektakolar që është duke u zhvilluar.

Mbetet të shihet se cilat nga këto katër skuadra, do të bashkohen në mesin e tetë ekipeve më të mira në Evropë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore