Lajme

“Për Serbinë për Vuçiç’in” – serbët nga Kosova nisen në këmbë për në Beograd për ta përkrahur tubimin e Vuçiç’it  


Ilustrim

Të mërkurën në mëngjes, një grup serbësh nga Veriu i Kosovës, janë nisur në këmbë për në Beograd për të marrë pjesë në një takim të organizuar nga Partia Progresive Serbe më 26 maj.

Një grup prej 23 të rinjsh janë nisur nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica e Veriut. Ata deklaruan se udhëtimin e kanë nisur me iniciativë të tyre me qëllim që t’i japin mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç’in.

Grupi në fjalë kanë veshur bluza kur shkruhet “Për Serbinë, për Vuçiçin, serbët nga Kosova”, duke mbajtur pankarta dhe flamuj të Serbisë, raporton agjencia e lajmeve serbe, Tanjug.

Të rinjtë serbë janë të vendosur të ecin 500 kilometra në nëntë ditë duke treguar se kjo nuk është asgjë në krahasim me “vendosmërinë e tyre për të treguar unitet dhe harmoni në këto kohë të vështira për Serbinë”.

Ndryshe në Serbi po organizohet protesta masive si reaksion popullor kundër dy vrasjeve masive të cilat ndodhën njëra pas tjetrës javët e kaluar ku humbën jetën 17 persona.

Protestuesit e indinjuar ndaj institucioneve shtetërore u mblodhën të premten jashtë ndërtesës së Parlamentit serb ku lexuan kërkesat e tyre dhe më pas marshuan në heshtje nëpër qytet.

Organizatorët e protestës thanë se pjesëmarrja e madhe në protestë dëshmon se njerëzit e kanë kuptuar se është e rëndësishme që Serbia të jetë një vend pa dhunë.

Kërkesat e protestuesve përfshijnë ndalimin urgjent të promovimit të mëtejshëm të dhunës në media dhe hapësirën publike, duke përfshirë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Autoritetit Rregullativ të Mediave Elektronike (REM).

Ata kanë kërkuar gjithashtu mbylljen e mediave të shkruara dhe tabloideve që promovojnë urrejtje dhe dhunë dhe shkelin vazhdimisht kodin e etikës së gazetarëve, si dhe heqjen e licencave të transmetimit kombëtar të stacioneve televizive që promovojnë dhunën, si TV Pink dhe TV Happy, të afërt me pushtetin në Serbi.

Protestuesit gjithashtu kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gasiç dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin.

Ata gjithashtu kanë kërkuar një seancë të Kuvendit për të diskutuar përgjegjësinë e Qeverisë së Serbisë dhe situatën e sigurisë në vend si dhe zgjidhjet afatgjata që duhet të zbatohen në mënyrë që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten më.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore