Lajme

“Për Izraelin, më mirë marrëveshja bërthamore e Iranit sesa pa fare”


Shefi i Inteligjencës Ushtarake, Aharon Haliva, në një takim të kabinetit të sigurisë, të dielën, tha se JCPOA – e njohur ndryshe si marrëveshja bërthamore e Iranit – është më mirë për Izraelin, sesa pa marrëveshje fare.

Gjatë mbledhjes, Haliva tha se kufizimet në programin bërthamor të Iranit, brenda kornizës së marrëveshjes, janë më të mira për Izraelin sesa mospërputhja totale me marrëveshjen.

Ndërsa, ai beson në përmbajtjen e marrëveshjes, thuhet se bie në kontrast me shefin e Mossad-it, David Barnea.

Ky i fundit thuhet se nuk e mbështet marrëveshjen dhe, në vend të kësaj, beson se “ka ende kohë” për t’u ulur në bisedime me amerikanët, mbi përmbajtjen e marrëveshjes së ardhshme.

Ministri i Jashtëm, Yair Lapid, ishte kundër rikthimit në marrëveshjen bërthamore të Iranit, për të cilën të hënën tha se, bisedimet në Vjenë “nuk do të arrijnë një rezultat optimal për sa i përket Izraelit”.

Po ashtu, ai theksoi se, pavarësisht nga rezultati, Izraeli nuk duhet t’i dëmtojë marrëdhëniet me administratën.

“Ne nuk jemi kundër asnjë marrëveshjeje”, tha Lapid. “Ne jemi në tryezën e bisedimeve me superfuqitë botërore dhe po diskutojmë se çfarë është marrëveshje e mirë”.

Komentet erdhën pas diskutimeve në Vjenë, Austri, mes Iranit dhe fuqive të shquara perëndimore.

Pesë shtetet bërthamore, të përfshira në bisedime, Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA-të – lëshuan një deklaratë të përbashkët të hënën, sipas së cilës e “konsiderojnë shmangien e luftës midis shteteve me armë bërthamore dhe reduktimin e rreziqeve strategjike si kryesore”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore