Shqipëria

Për diplomacinë shqiptare, de-përshkallëzimi në Kosovë është vendimtar


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri Olta Xhaçka, reagoi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës duke deklaruar se de-përshkallëzimi është vendimtar.

Ndër të tjera ajo bëri thirrje se sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër KFOR-it dhe shtypit duhet të ndalen menjëherë.

“Sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër NATO_KFOR-it dhe shtypit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë! Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për KFOR-in dhe urojmë shërim të shpejtë për ushtarët e lënduar të KFOR-it. De-përshkallëzimi tani është vendimtar!”, shkruan fillimisht kryediplomatja shqiptare në Twitter.

Sipas saj, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjes reciproke që do të sigurojë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Nga ana tjetër ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili u shpreh i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës.

“Dënojmë me forcë dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR, që po përpiqen për garantimin e sigurisë së qytetarëve atje. Dialogu dhe ulja e tensioneve, zgjidhja e vetme për një bashkëjetesë të mirë dhe stabilitet në rajon! Urojmë shërim të shpejtë për trupat e lënduar!”, theksoi zyrtari shqiptar në reagimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore