Kosova

Për dhunën dhe vrasjen e grave “ka ndikim shoqëria dhe ka dështuar shteti”


Ilustrim

Vrasja e vajzës 18 vjeçare nga Ferizaj M.O, që prokuroria dyshon se vdiq nga dhuna e bashkëshortit të sajëj, Dardan Krivaqa, tani i paraburgosur, ka shpërfaqur edhe mos funksionimin e hallkave të shtetit dhe dobësinë e institucioneve për t’i mbrojtur viktimat e dhunës.

Një psikolog dhe një sociolog, nga këndvështrimi i tyre kanë analizuar shkaqet e dhunës dhe pse ka rritje të rasteve në Kosovë.

Kryetari i Organizatës për Shërbime Psikologjike, Memi Gollopeni  thotë se rasti i M.O ka tronditur të gjithë pa dallim.

Sipas tij, ngjarje të tilla kanë filluar të bëhen të zakonshme.

“Zgjohesh në mëngjes dhe lexon në portalet e mediat tona, dhunë në familje, rrahje të të rinjve, therje, plagosje e shumë shpesh edhe vrasje”, ka thënë Gollopeni për Klan Kosova.

“Dhuna si ajo psikologjike po ashtu ajo fizike përçohet dhe me kalimin e kohës edhe bartet tek fëmijët të cilët janë prezentë dhe i ekspozohen kësaj dhune. Fëmija është model i prindërve, ata prindër që ushtrojnë dhunë në prani të fëmijëve të tyre janë modeli më i keq për degradimin e një brezi të tërë të shoqërisë”, ka shtuar më tej Gollopeni.

Psikologu mendon se neglizhenca nga instancat e shtetit lë për të dëshiruar, “për shkak se dënimet janë shumë të vogla dhe shpesh herë edhe neglizhohen tërësisht”.

“Mirëpo, përveç neglizhencës nga institucionet më shumë ndikim ka mosvetëdijesimi i të rinjve e të rejave në vendin tonë, për të drejtat e tyre, nuk kanë informacione se ku të drejtohen dhe si të mbrojnë veten e tyre nga llojet e dhunës”,  theksoi Gallopeni.

Psikologu, Memli Gollopeni

Në anën tjetër, profesori i Sociologjisë, Jeton Brajshori, thotë se paragjykimet e shoqërisë “e vrasin dy herë viktimën”.

“Mbetet në vijim të shohim se këta persona a janë psikopatë apo janë sadistë. Sepse mënyra e tyre e sjelljes i tregon vetëm këto dy rrugë. Paragjykimet e shumta që po ndodhin (e ka vra për shkak të tradhtisë) thjeshtë e vrasin viktimën për së dyti. Shoqëria jonë duhet një here e mirë ta kuptojë se martesa pra certifikata e kurorëzimit nuk e legalizon dhunën”, deklaroi Brajshori.

Brajshori konsideron se trashëgimia luan rol të rëndësishëm në ndalimin e abuzimeve të grave nga burrat.

“Femra në shumicën e rasteve përjashtohet nga trashëgimia, po ta kishte trashëguar nga prindërit atë që i takon edhe abuzimi me të do të ishte më i vështirë sepse në momentin që ka ku shkon ajo nuk do t’i duronte abuzimet. Arsye të tjera janë paragjykimet që bëhen nëse ndahet nga burri, e tek fëmijët, traumat që shkaktojnë në fëmijëri ndikojnë në zhvillimin e personalitetit të tij dhe janë të prirur në delikuenca dhe bulizëm në shkolla”.

Brajshori ka akuza të rënda edhe për shtetin, për shkak të jo seriozitetit të trajtimit të viktimave të dhunës.

“Vrasësit e dytë të këtyre viktimave janë vetë shteti. Në të kaluarën shumica e vrasjeve të grave që kanë ndodhur, kanë ndodhur pasi ato e kanë raportuar problemin e tyre dhe nuk janë marrë seriozisht. Rasti i fundit në Ferizaj na tregon se sistemi gjyqësor ka dështuar totalisht’’, theksoi Brajshori.

 

 

Socilogu, Jeton Brajshori

Kurse me 25 gusht, Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, kundër të pandehurit Dardan Krivaqës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se “i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore