Lajme

Për çka biseduan Escobar e Lajçak me udhëheqësit e Kosovës të hënën?


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për medie me mysafirët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, pas takimit me ta

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Gabriel Escobar, njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të hënën erdhën në Kosovë për të filluar kështu një vizitë tre ditore, vizitë kjo me qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Escobar dhe Lajçak takuan presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Menjëherë pas këtyre takimeve, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan Escobar deklaroi se SHBA-të fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Ndërkaq, Lajçak ka deklaruar se janë dakorduar që të përshpejtohet puna për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndërsa, krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në fokus kanë vënë bllokimin e Serbisë në proceset e dialogut. Sovranitetit  e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt.

Deklarimet publike të Escobarit dhe Lajçakut të hënën:

SHBA-të fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës ka deklaruar Zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Gabriel Escobar pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një konferencë për media, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.

Escobar ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.

Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

“SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”, deklaroi ai.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik”, deklaroi i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Escobar ka shtuar se dialogu Kosovë-Serbi e ka mbështetjen e plotë të Amerikës, por sipas tij procesi do të drejtohet nga Bashkimi Evropian pasi bëhet fjalë për Bashkimin Evropian.

“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veçse jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Lajçak: Me Osmanin u dakorduam të përshpejtohet puna për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Miroslav Lajçak, Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, përmes një shkrimi në Twitter, tha se ka dakordim të përshpejtohet puna për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Në Kosovë, së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takuam presidenten Vjosa Osmani. Ndër të tjera, ramë dakord për nevojën e përshpejtimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë Lajçak.

Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi.

Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe se është e rëndësishme të hapen arkivat shtetërore të Serbisë.

Duhet kujtuar se edhe mbi 1600 persona konsiderohen si të pagjetur që nga koha e luftës në Kosovë.

Lajçak po ashtu ka deklaruar se deri të mërkurën do të kenë një fotografi më të qartë për të ardhmen e dialogut.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se BE dhe SHBA po punojnë bashkërisht sa i përket dialogut në Bruksel dhe mënyrës se si ai do të vazhdojë në të ardhmen.

Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Serbia jo-konstruktive, palët të trajtohen barabartë

Presidentja Vjosa Osmanit ka thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.

Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, theksoi presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, ajo bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani

Osmani tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel.

Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Kurti: Jemi të vendosur ta ruajmë sovranitetin nga çfarëdo përpjekje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me emisarin amerikan Gabriel Escobar dhe atij të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak deklaroi se janë të angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë ndërsa tha se mbështesin edhe bashkëpunimin rajonal duke përmendur Procesin e Berlinit si dhe Tregun e Përbashkët Rajonal.

Pasi përmendi disa prej arritjeve të ekzekutivit, Kurti u ndal edhe te dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilin tha se integriteti territorial, sovraniteti e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet dhe është ë angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt”, deklaroi Kurti.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi gjatë konferencës me kryeministrin Albin Kurti

Kurti u shpreh se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnike, por tha se do të merren praktikat më të mira sepse nuk mund të ketë diku komunitet të diskriminuar e diku tjetër të privilegjuar.

“Jam kryeministri i të gjithë qytetarëve pa dallim prandaj edhe jam i gatshëm që t’ju përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës edhe të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimi Evropian e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, vijoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës u zotua edhe për bashkëpunim rajonal duke thënë se angazhohen në Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, po pa përmendur nismat e tjera siç është ajo e “Open Balkan”.

Ndryshe, Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak janë në një vizitë pesëditore në Kosovë dhe Serbi, vizitë që ka për qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore