Lajme

Për 5 ditë mblidhen 15 mijë nënshkrime në peticionin për Trustin


Adnan Jashari dhe Bekim Haxhiu

Një grup i qytetarëve një javë më pari kishte nisur peticionin për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të Trustit. E ndërsa sot njëri nga organizatorët e këtij peticioni ka takuar nismëtarin e Projektligjit për lejimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit, deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, për të njoftuar këtë të fundit nga afër se deri më tani janë siguruar mbi 15 mijë nënshkrime për Nismën Legjislative Qytetare për Projektligjin për Trustin.

Qëllimi i Peticionit në fjalë, sipas organizatorëve është që të mundësohet riprocedimi në Kuvend i Projektligjit për Trustin.

“Deputetin e njoftova se deri më tani, brenda 5 ditëve kemi  arritur të sigurojmë mbi 15 mijë nënshkrime të qytetarëve, për ta riproceduar në Kuvend kërkesën tonë për Projektligjin për Trustin. Me deputetin Haxhiu u këshillova për procedurat ligjore dhe kushtetutese për ta proceduar në Kuvend – ‘Nismen Legjislative nga Qytetarët’ për Projektligjin për Trustin”, ka shkruar njëri nga organizatorët e këtij peticioni.

Sipas tij mbledhja e nënshkrimeve për peticionin në fjalë do të vazhdojë deri më 5 korrik.

Ndërsa i fascinuar me angazhimin e qytetarëve për të ti proceduar në Kuvend Projektligjin për Trustin, ka mbetur deputeti Haxhiu.

“Mirënjohje e veçantë për Adnan Jasharin dhe të gjithë aktivistët, qytetarët qe anekënd Kosovës u organizuan dhe për 5 ditë kanë siguruar mbi 15 mijë nënshkrime për Nismën Legjislative Qytetare për Projektligjin për Trustin”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore