Shqipëria

Peleshi zbulon zonën më problematike nga reshjet intensive


Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi zbuloi zonën ku janë shfaqur problematikat më të theksuara deri më tani pas reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin.

“Në bashkinë e Vaut të Dejës paraqitet situata më problematike, ka dalë lumi Gjadër nga shtrati dhe ka dëmtuar infrastrukturën rrugore përreth. Autoritetet janë përgatitur për të bërë evakuime në këtë zonë”, theksoi Peleshi.

Peleshi ka bërë me dije të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Në qarkun e Lezhës, në zonën Kurbin, është regjistruar rreth 15 mm shi, në Bregun e Matës, rreth 20 mm shi, në zonën e Zadrimës, rreth 130 mm shi (dhe ka përmbytje në zona të ulëta), ndërsa në ish-kënetën Torovicë janë përmbytur rreth 500 hektarë.

Në qarkun e Shkodrës është regjistruar 190 mm shi, ndërsa në Kukës rreth 14 mm shi në 24 orët e fundit.

Bashkia e Fushë-Arrëzit ka një situatë gjithashtu problematike, pasi në rrugët rurale Qafë-Mali; Iballë; Blerim dhe Fierzë janë raportuar dëmtime dhe shkëputje të energjisë elektrike.

Ndërsa në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi i Thatë në fshatin Kamicë dhe uji ka depërtuar në dy banesa.

Deri më tani, garantoi zyrtari shqiptar, nuk ka situata serioze dhe autoritetet janë në gatishmëri.

Mbledhje

Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë, ku rreziku për përmbytje është edhe më i lartë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.

“Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta”, shkruan Peleshi. “Jemi çdo minutë  në monitorim të situatës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore