Shqipëria

Peleshi vizitë në Romë: Misioni kyç i Shqipërisë edhe ruajtja e orientimit strategjik Euro-Atlantik në rajon


Ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë një takimi me homologun e tij italian Lorenzo Guerini është shprehur se Shqipëria ka mision kyç, jo vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, por edhe orientimit strategjik Euro-Atlantik në rajon.

Në qendër të diskutimit të ministrave ka qenë bashkëpunimi mes dy vendeve në këtë fushë, i cili ndër vite rezulton shumë intensiv.

“Një përshkallëzim negativ i situatës rrezikon efektin domino për të gjithë rajonin. Shqipëria është e përkushtuar të promovojë ‘Politikën e Dyerve të Hapura’, për të gjitha vendet e rajonit”, u shpreh Peleshi në fjalën e tij.

Ndër të tjera Ministri shqiptar ka falënderuar Guerini-n për mbështetjen e pakushtëzuar të Italisë për Shqipërinë, në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Po ashtu Peleshi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Italia i jep Kosovës si edhe për kontributin e Forcave të Armatosura Italiane në KFOR.

“Kosova mbetet interes kombëtar për Shqipërinë, e cila tashmë me statusin e vendit anëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023 do të lobojë fuqishëm në rritjen e numrit të vendeve që njohin pavarësinë e saj”, vijoi Peleshi në fjalën e tij.

Sa i përket bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, të dy ministrat theksuan interesin e përbashkët për një vëmendje të madhe ndaj rreziqeve dhe sfidave që burojnë nga Drejtimi Strategjik Jugor i Aleancës.

Me rëndësi u vlerësua rakordimi i qasjes mbi “Konceptin e Ri Strategjik të NATO-s”, i cili pritet të miratohet në Samitin e Madridit, në qershor.

Të dy ministrat ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit dypalësh rreth sfidave të mbrojtjes kibernetike, apo edhe në fushën e arsimit apo trajnimit si dhe zgjerimin e marrëveshjes aktuale në fushën e mjekësisë ushtarake.

Në përfundim Peleshi ftoi homologun e tij për një vizitë në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore