Shqipëria

Peleshi pritet nga Sekretari britanik i Mbrojtjes, fokus intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe me fokus bashkëpunimin dypalësh.

Ai u prit në një takim nga Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen, Ben Wallace.

Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Ministria britanike e Mbrojtjes ka dhënë për Forcat e Armatosura shqiptare.

Ndërkohë, Wallace shprehu gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të Aleancës, por dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Peleshi u prit edhe nga Ministrja e Shtetit  Baronesha Goldie  Dl.

Të dy nënshkruan Deklaratën e Përbashkët mbi  Rritjen e Bashkëpunimit dypalësh në fushën e  mbrojtjes, dokument i cili synon përforcimin e bashkëpunimit aktual, identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të përballuar sfidat si dhe për t’iu përshtatur risive të reja që sjell koha dhe mjedisi gjithnjë e më shumë konkurrues dhe kompleks.

Po ashtu ministrat rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të vijuar kontributin në sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe rritjen e angazhimit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe krahut jugor të NATO-s.

Kurse një tjetër takim, ministrit Peleshi iu rezervua nga kreu dhe disa anëtarë të grupit parlamentar shumëpartiak për Shqipërinë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimorë.

Atje Peleshi theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është gjithmonë e më shumë e orientuar drejt fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Sakaq, ai u prit në një takim të veçantë nga Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik  për Ballkanin Perëndimorë Stuart Peach, një mik i hershëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në takimin e tyre u diskuan çështje me interes për zhvillimin, sigurinë, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rolin e Shqipërisë në rajon, ku një vëmendje të veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore