Shqipëria

Peleshi kërkon 200 milionë lekë për restaurimin e Varrezave të Dëshmorëve


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka kërkuar 200 milionë lekë për restaurimin e Varrezave të Dëshmoreve që të jenë gati për vitin tjetër kur do të festohet 80 vjetori i Çlirimit të Shqipërisë.

Kjo ka qenë kërkesa që Peleshi ka drejtuar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare ku po shqyrtohet nen për nen projektligji “Për buxhetin e vitit 2024”.

“E kuptoj që jemi të vonuar, por te neni 15 ose diku tjetër nëse mund të përfshihet një aneks për të hapur një hapësirë buxhetimi për projektin e rindërtimit të varrezave të Dëshmorëve të Atdheut. E kemi vonuar sepse kemi qenë në komunikim me ministrinë e Kulturës për të zgjidhur çështjen nëse janë monument kulture apo jo dhe kush ka të drejtë të ndërhyjë. Kemi arritur dakordësi verbalisht ta zgjidhim çështjen por a duhet të hapim një dritare për të financuar”, ka thënë Peleshi.

Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar investimin njëlloj si me modelin e projekteve të mbështetjes për mbrojtjen civile.

Ajo do të hapë thirrjen, bashkitë që kanë nevojë për rikonstruksion varrezash apo ndërtim varrezash të reja aplikojnë me projekte dhe bashkitë fituese marrin fondin nga Ministria e Mbrojtjes dhe realizojnë investimin një lloj si projektet e investimeve.

“Mendoj të çelim një fond prej 200 mln lekë meqë vitin tjetër kemi 80 vjetorin e çlirimit të vendit”, ka shtuar ai.

Sakaq, kërkesa do të prezantohet me shkrim dhe do i paraqitet komisionit përkatës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore