Lajme

PE-ja miraton planin prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor


Parlamenti Evropian (PE) këtë të mërkurë të 24 prillit ka miratuar planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Paketa prej 6 miliardë eurosh është njëra prej më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.

Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së.

Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.

Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.

Synimi i BE-së është të dyfishojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se plani i rritjes ka përfitimet e tij, por se fondet e ofruara nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha ambiciet e vendosura nga BE-ja.

Branimir Jovanoviç, ekspert ekonomik nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), thotë se Plani i Rritjes së BE-së përfaqëson rreth 20% të fondeve që vendet e rajonit marrin aktualisht përmes fondeve IPA, gjë që nuk përbën një rritje të konsiderueshme.

“Fondet e IPA-s aktualisht në dispozicion kanë një madhësi totale prej 30 miliardë euro. Ato janë vendosur prej disa vitesh dhe mund të shohim se nuk kanë dhënë rezultate të rëndësishme. Pse ky instrument i ri, pesë herë më i vogël, do të ishte më i mirë”, thotë Jovanoviç.

Predrag Zeçeviç, analist ekonomik dhe pronar i portalit “BiznisCG” nga Mali i Zi, vlerëson se Malit të Zi mund t’i takojnë rreth 413 milionë euro nga Plani i Rritjes.

Ai beson se këto fonde janë të konsiderueshme, por jo të mjaftueshme për të ngushtuar hendekun ekonomik mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

Analisti shton se Plani i Rritjes është një ide e mirë, por BE-ja do t’u shërbejë më mirë vendeve të rajonit duke mundësuar përdorimin e fondeve strukturore të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore