Lajme

PDK: Prokuroria të nisë hetimet për abuzimin e zv.ministres Daulina Osmani, e cila ia dha motrës së saj 335 mijë euro


Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi.

Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi në një konferencë për media ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të nisë hetimet për aferën e abuzimit të 335 mijë eurove nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Bislimi deklaroi se këto para të taksapaguesve kosovarë, përmes një skeme mashtrimi e kamuflimi përbëjnë një konflikt të pastër interesi me përgjegjësi ligjore.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka iniciuar muaj më parë një memorandum bashkëpunimi ku i ka përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Organizatën Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor”.

“Nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Kulturës ia ka dhënë 335 mijë euro Organizatës Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor” e cila kishte obligim ta organizoj projektin “Drejt Malit”që kishte për qëllim dërgimin e nxënësve për skijim në Brezovicë”, deklaroi Bislimi.

Bislimi, sqaroi se kjo organizatë e kontraktoi burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani.

“Kjo OJQ e kishte marrë përsipër t’i blejë pajisjet dimërore për nxënësit si dhe t’i akomodojë ata në një hotel në Brezovicë. Ajo çfarë ndodhi është se kjo Organizatë Jo Qeveritare, me paratë e Ministrisë së Kulturës e kontraktoi Kompaninë “Omnisport” me pronar burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani. Pra, motra e zëvendësministres përveç që e ka bashkëshort pronarin e kësaj kompanie, ajo edhe vet punon aty”.

Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi.

Ndër të tjera, bëri të ditur se me këto 335 mijë euro  u blenë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.

“Pra, disa prej këtyre parave të taksapaguesve kosovarë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosoves përfunduan në xhirollogarinë e hotelit në Serbi. Për ta vërtetuar të gjithë ju që zëvendësministrja Daulina Osmani ishte bartëse e këtij projekti që paratë ia dha kompanisë ku punon motra e saj, mund të hyni në faqen e saj në Facebook dhe e shihni si e promovonte këtë projekt”.

“Madje ajo e kishte ftuar në Brezovicë gjatë atyre ditëve që po zbatohej projekti, edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili shkoi në Brezovicë dhe bashkë me zëvendësministren Daulina Osmani ato ditë me borë hipi në teleferik”.

Sipas Bislimit, kjo aferë abuzive është shqetësuese jo vetëm për përfitimin e një familjareje të titullares së Vetëvendosjes, por edhe sepse paratë janë shpenzuar për çmime të fryera me procedura të përshpejtuara.

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje ministrit Çeku që të japë llogari e të sqarojë këtë aferë abuzive dhe ka kërkuar nga Prokuroria që të filloj të hetoj rastin.

“Edhe pse kanë kaluar disa ditë që ky projekt abuziv është denoncuar nga media, ministri i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku, ende nuk është deklaruar për këtë çështje dhe kjo heshtje nuk mund të interpretohet ndryshe përveçse si miratim”, tha Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore