Kosova

PDK-ja kërkesë Qeverisë: Të ndahen nga 100 euro në muaj për punëtorët dhe të papunët


Partia Demokratike e Kosovës.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka kritikuar Qeverinë Kurti për diskriminim të qytetarëve lidhur me vendimet e fundit për përcaktimin e pagës minimale dhe ndarjes së 100 eurove për disa kategori.

Ai në një konferencë për media ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët.

Një kërkesë të tillë Stavileci, e ka bërë deri në hyrjen në fuqi e Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.

“Edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat po përballen sot qytetarët e Kosovës, tri krizave më të mëdha në historinë e tyre më të re, pandemisë, shtrenjtimit astronomik të çmimit të rrymës dhe ngritjes marramendëse të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritarët tanë, ironikisht krejt kundër me atë për çfarë kanë marrë besimin e tyre, po e thellojnë hendekun e pabarazisë shoqërore pikërisht me taksat e vetë qytetarëve”.

“Tani kur edhe inflacioni i çmimeve shënoi rekordin më negativ dyshifror për ta goditur akoma më shumë mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë, qeveritarët në vend të lehtësimit të kësaj goditjeje dhe rëndimi, zgjodhën goditjen e serishme nëpërmjet mosdëgjimit të kërkesave të tyre, anatemimit dhe diskriminimit”, deklaroi Stavileci.

Blerand Stavileci dhe Betim Gjoshi.

Ndër të tjera, ai u ka japur të drejt qytetarëve që po kërkojnë pagën më të lartë minimale se 300 euro.

Edhe, sekretari për organizim dhe zgjedhje i PDK-së, Betim Gjoshi një vendim të tillë e ka quajtur të papranueshëm.

“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, të përbuzur dhe të ofenduar. Përbuzja dhe ofendimi bëhen edhe më të rënda kur vijnë nga ata që drejtojnë institucionet kryesore të shtetit, të cilat kanë obligime ligjore dhe morale ndaj tyre”, ka thënë Gjoshi.

Ndërsa, ka thënë se Qeveria Kurti i ka përjashtuar tërësisht veteranët.

“Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën as në kohën më të rëndë të saj”.

PDK-j, gjatë kësaj konference ka përpiluar disa propozime dhe hapa konkret që Qeveria duhet të marrë urgjentisht.

“1. PDK-ja propozon që Qeveria duhet te vazhdoj të ju ndajë veteranëve pagë, së paku në lartësinë e pagës minimale, derisa të bëjë kategorizimin e tyre.

“2. Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të nisë menjëherë pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së dhe kategorizimin e tyre. Ashtu siç kemi thënë shumë herë, me këtë hap jo vetëm që do të ndaloheshin përfitimet financiare për mashtruesit, por do t’i bënim nderë edhe historisë, duke larguar mashtruesit e falsifikatorët nga historia e UÇK-së, të cilës nuk i kanë takuar asnjëherë”.

“3. Partia Demokratike e Kosovës e fton Kryeministrin Albin Kurtin që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fjalët e vartëses së tij, si mund t’i thotë vetes veteran dikush i cili nuk e ka veshur asnjë minutë uniformën e UÇK-së?! Prandaj, Kryeministri Kurti duhet t’i jap fund mashtrimit të tij se ka qenë pjesë e një historie pa i takuar kurrë asaj”, ka thënë Gjoshi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Sipas Kurtit, janë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës që do të përfitojnë nga këto shtesa të ndara nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore