Lajme

PDK-ja i ka nënshkrimet për ta çuar në Kushtetuese shkarkimin e Dakës


Deputetja Blerta Deliu, gjatë fjalimit në seancën plenare të parlamentit të Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Blerta Deliu, ka treguar se partia e saj i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“PDK i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e Presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës ta qoj në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo gjatë seancës plenare të Parlamentit të Kosovës.

Sipas saj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kanë kapur KQZ-në, duke anëtarësuar përfaqësuesit e tyre politike në institucionin në fjalë.

“Skenari i kapjes së KQZ-së nga ana e Albin Kurtit dhe presidentes Osmani ka filluar para disa javësh kur presidentja e një anshme Osmani, ajo nuk e ka dekretuar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe të Koalicionit Vakat duke synuar kështu zëvendësimin e tyre me përfaqësues të pushtetit”

Sipas Deliut, shkarkimi i kryesueses së KQZ-së është një vendim politik i cili synon ta cenoj pavarësinë e institucioneve kushtetuese të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës këtë vendim e konsideron si tendencë për një qeverisje autoritare e cila provon që të vë kontroll në të gjitha insititucionet kyçe. Shkarkimi është politik i cili godet rëndë demokracinë dhe cenon institucionet e pavarura kushtetuese të vendit”.

Gjatë fjalimit të saj në parlamentin e Kosovës, ajo ka ftuar të gjithë ambasadorët e vendeve mike që të reagojnë urgjentisht ndaj cenimit të institucioneve të pavarura kushtetuese.

Edhe Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës (AAK) e ka mbështetur iniciativën e PDK-së për ta çuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, në Gjykatën Kushtetuese.

“Aleanca e ka përkrahur referimin e çështjes së shkarkimit të Dakës në Kushtetuese”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënës i AAK-së, Lulëzim Blaka.

Para dy ditësh Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e kishte shkarkuar nga detyra kryesuesen e KQZ-s Valdete Daka, duke emëruar në vend të saj kryetarin e ri të këtij institucioni, Kreshnik Radoniqin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore