Shqipëria

PD prezanton projekt-rezolutën për rritjen e çmimeve, Alibeaj: Asnjë sinjal politik, mendoni vetëm familjet shqiptare


Për shkak të rritjes së çmimeve gjatë ditëve të fundit në vendin tonë në seancën plenare të 24 marsit, Partia Demokratike ka propozuar projekt-rezolutën prej 10 pikash.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe kryetar i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj i ka prezantuar qeverisë planin e tyre.

Projekt-rezoluta e PD-së përfshinte uljen në 6% të TVSH-së për mallrat e shportës bazë.

Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e tetë viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eliminuar taksën e qeverisë mbi karburantin.

Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për vitin 2022.

Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore.

Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga data 1 prill 2022.

Rritjen e pagës minimale në masën 36 mijë (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga data 1 prill 2022.

Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, veçanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive.

Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milionë euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon.

Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Gjatë prezantimit të kësaj Alibeaj ka bërë thirrje që në këtë situatë të lihet mënjanë lufta politike në Kuvend pasi do të ketë kohë plot për ta bërë.

“Nuk është një instrument politik, dhe për të promovuar luftën politike në parlament por duhet që të vijë një moment dhe ai moment është sot që duhet që të mendohet me shpirt për familjen shqiptare. Teksa merrni fletën e votimit mendoni vetëm familjet shqiptare, dhe nuk do të lëshoj asnjë sinjal politik, por sot duhet që të mendojmë për barkun bosh të familjeve shqiptare”, e përmbylli Alibeaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore