Shqipëria

PD për primaret e Berishës: Vetë emëron, vetë voton, vetë numëron


Komisioni i Rithemelimit ka mbajtur primaret për zgjedhjen e kandidatëve nga radhët e lëvizjes së Berishës, të cilët do të kandidojnë në lokalet e pjesshme të 6 marsit, në gjashtë bashki të vendit.

Këtë proces gjithsesi, Partia Demokratike e ka quajtur një vijim të tollovisë së krijuar nga një person i shpallur non grata nga Departamenti amerikan i Shtetit.

“Një proces ku Berisha emëron, Berisha voton, Berisha numëron”, shkruhet në postimin e faqes zyrtare të PD-së në Facebook. “As Berishën, as kandidatët e tij nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike”.

Në vijim, ravijëzohet edhe akuza e kahershme, se janë Edi Rama dhe Berisha, ata të cilët po krijojnë një parti të re, për të dëmtuar atë demokratike dhe për ta mbajtur Shqipërinë në vendnumëro.

“Zgjedh Ramën, mban Berishën. Zgjedh Berishën, mban Ramën”, përmbyllet postimi.

Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit pretendon se pjesëmarrja ka qenë shumë e lartë në primare.

Tashmë, me gjashtë kandidatë të tijët, Berisha do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale, siç e ka deklaruar edhe më parë. E vetmja gjë që pritet, është fakti se si do të garojë lëvizja e tij dhe me cilën sigël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore