Shqipëria

PD ngre akuza për mosrespektim procedurash nga Celibashi


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e ka shpërdoruar detyrën e tij, duke mos respektuar asnjë procedurë ligjore, lidhur me çështjen e regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Ka qenë përfaqësuesi ligjor i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Indrit Sefa, ai i cili i ka ngritur akuzat kundrejt Celibashit.

“Komisionieri nuk po zbaton procedurat ligjore. Këto afate janë përcaktuar qartë, i bëj thirrje komisionerit që në një kohë sa më të shkurtër që të marrë përsipër kërkesat e PD-së”, shpjegoi ai përpara gazetarëve.

Më tej, ai shtoi se koha që kalon reflekton thjesht një shkelje të të drejtave ligjore.

Ndaj, ka bërë thirrje që seanca për vendimin të mos shtyhet më tutje, por të zhvillohet menjëherë.

Nga ana tjetër, nga vetë radhët e KQZ-së, është njoftuar se mbledhja publike lidhur me shqyrtimin e kërkesës së PD-së, përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, do të zhvillohet të martën e 14 marsit, në orën 16:00.

Sërish, përtej këtij fakti, Sefa ka kërkuar që afati të afrohet dhe mbledhja të zhvillohet menjëherë.

Më herët, ishte Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, ai i cili nuk kaloi për shqyrtim kërkesat e bëra nga Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha, lidhur me vendimet paraprake të Celibashit, sa i përket regjistrimit të PD-së në zgjedhje.

Sipas saj, komisioneri nuk e njeh Berishën si kryetar të demokratëve, pasi ligjërisht, e regjistruar në Gjykatën e Tiranës, është Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën.

Sa i takon këtij të fundit, Celibashi ka kërkuar plotësimin e dokumentacionit, përfshi edhe një autorizim me vetë firmën e Bashës.

Siç ka deklaruar Alibeaj më parë, apo edhe Sefa, firmë të tillë nuk do të ketë, pasi Basha nuk është më kryetar i partisë, sepse prej një viti është dorëhequr.

Thënë kjo, as plotësim dokumentacioni nuk do të ketë siç ka bërë me dije Alibeaj, sepse gjithçka i duhet Celibashit për të marrë vendim, ndodhet në dosjen e dorëzuar prej PD-së, ku ai vetë është drejtues i komanduar legjitim i forcës së djathtë.

Ndaj, KAS, pa pasur një vendim përfundimtar nga Celibashi, nuk mundet të vendosë mbi kërkesa të tjera ankimore për asnjë palë.

Ajo çfarë pritet, është fjala e fundit e komisionerit mbi regjistrimin apo jo të PD-së së Alibeajt në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore