Shqipëria

PD Gjirokastër në konflikt – Aliko e Bejko shkëmbejnë akuza


Sipas kreut të Partisë Demokratike në degën Gjirokastër, Dasho Aliko, dyert e zyrave lokale të forcës politike janë shkallmuar nga i deleguari i kryesisë së PD-së, Roland Bejko, i cili sipas Alikos, ka dëmtuar rëndë edhe mjete logjistike, përfshi një databazë të dhënash në sistemin informatik.

Një gjë të tillë, vetë Bejko, e ka mohuar tërësisht. Madje, ai ka thënë se takimi ka qenë i planifikuar prej kohësh, sipas statutit. Ndërsa, Alikos, i është referuar si ish-drejtues i degës.

“U njoftuam nga disa qytetarë që një grup njerëzish kishin ardhur dhe duke goditur me shqelma dyert”, do të shpjegonte Aliko në një deklaratë për mediat pasditen e së dielës.

Kreu i PD Gjirokastër, Dasho Aliko

“Është për të ardhur keq që ëndrrat me dyer të shqyera që shohin frymëzuesit dhe zbatuesit e dhunës së 8 dhjetorit gjejnë ende hapësirë në media”, do të ishte replika e Bejkos.

Aliko i është bashkuar prej kohësh lëvizjes së Sali Berishës, duke dalë hapur krah ish-liderit të PD-së. Madje, ai u ka bërë edhe thirrje demokratëve të Gjirokastrës, që t’u bashkohen asaj lëvizjeje.

Kjo, pasi e cilëson atë, si shumica brenda PD-së.

Bejko nga ana tjetër, është mbështetës i Bashës. Që prej krijimit të fraksionit Berisha brenda forcës politike, ai ka ridalë në skenën politike, pas një mungese aktive.

Roland Bejko

Aliko gjithsesi, i ka bërë edhe një kërkesë Bejkos e mbështetësve të Bashës.

“Ata janë pjesa e jonë, duhet të respektojnë anëtarësinë e tyre. Ju jeni dëshmitarë se si në mënyrë barbare, janë thyer çelësat e dyerve. Sot jemi në riorganizimin e PD-së. Jemi munduar edhe me zotin Bejko. Ata të kthehen tek shumica, tek anëtarësia”.

Vetë Bashës, i ka kërkuar që të futet në zgjedhje. Aty ai mund të shohë se sa mbështetje gëzon vërtetë.

Bejko gjithsesi, e ka anashkaluar këtë pikë, duke u marrë vetëm me çështjen e akuzave ndaj tij.

PD dega Gjirokastër

“Kushdo që ka pretendimin më të vogël për çdo akt dhune të ushtruar në selinë e PD në Gjirokastër duke më quajtur mua me të njëjtën fjalë ‘vandal’, siç na quanin sigurimsit e shtetit dhe komunistët në dhjetor 1990, është i lutur t’i drejtohet organeve kompetente”.

Takimet, Bejko ndërkaq do t’i vijojë, sipas programit të tij dhe PD-së.

Kjo e Gjirokastrës, është thjesht çështja e radhës e një përçarje të brendshme midis demokratëve. Pavarësisht gjithçkaje, Bejko është komanduar si drejtues i ri i degës nga Basha, ndaj gëzon edhe legjitimitet për postin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore