Shqipëria

PD do të kallëzojë Ballukun në SPAK: Tendera 200 milionë eurosh të ARRSH-së


Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) – sipas Partisë Demokratike (PD) – ka shpallur 13 tendera rrugësh me vlerë 200 milionë euro me kritere që minojnë garën për të favorizuar të njëjtët oligarkë.

“ARRSH ka shpallur të paktën 13 procedura tenderimi për ndërtim, zgjerim ose rehabilitim rrugësh, në një vlerë totale afërsisht 200 milionë euro. Këto procedura janë publikuar edhe në media ndërkombëtare, ku natyrisht, qëllimi i shprehur është për të marrë oferta edhe nga kompani ndërkombëtare sipas përcaktimeve ligjore për tendera me vlerë të madhe monetare”, ka thënë sekretari ligjor i PD-së, Indrit Sefa.

Sipas tij, Belinda Balluku “me zgjatimet e saj në ARRSH me qëllim që të shmang futjen në garë të kompanive të huaja, për të favorizuar pesë oligarkët e përhershëm që marrin këto tendera ka vendosur në kriteret e tenderimit kushte dhe afate që asnjë kompani e huaj nuk ka mundësi t’i plotësojë”.

Ndaj dhe, selia blu, paralajmëron padi në Prokurorinë e Posaçme SPAK për Ballukun si ministre e linjës dhe çdo funksionar të ARRSH që ka firmosur kriteret.

“Përballë ketij skandali, PD do ta ndjekë në vazhdimësi e do të marrë të gjitha masat ligjore që kjo bandë hajdutësh të parave të shqiptarëve, të cilët duan të vjedhin dhe të favorizojnë të njëjtët oligarkë me taksat e shqiptarëve, të përfundojnë pas hekurave të qelisë”.

Sefa ka theksuar se “brenda pak ditësh, PD do të depozitojë në SPAK një kallëzim penal të detajuar për këtë bandë hajdutësh të drejtuar nga Balluku si ministre e linjës dhe duke përfshirë çdo funksionar të ARRSH që ka firmosur kriteret për të përjashtuar kompani shqiptare apo të huaja për të marrë pjesë në garë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore