Lajme

Pavarësisht rreziqeve, rriten kalimet e emigrantëve në Kanalin Anglez


Emigrantët dhe azilkërkuesit mes çadrave dhe strehimoreve në një kamp të improvizuar në Calais, Franca veriore

Pavarësisht masave më të ashpra në të dy anët e Kanalit Anglez, azilkërkuesit ende po përpiqen të bëjnë kalimin e rrezikshëm nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar – në përpjekje për të gjetur një të ardhme më të mirë.

Ka rreth 100 njerëz në periferi të Calais në Francën Veriore, pasi kërkesa e tyre për azil ishte refuzuar nga autoritet gjermane – kryesisht të rinj, gra me fëmijë nga Sudani Irani dhe nga Kuvajti.

Një kamp i improvizuar është ngritur jo shumë larg, mes shkurreve, me shtrat të sajuar, një qilim dhe disa çanta gjumi.

Mohaned, 19 vjeç, nga Sudani, për “Deutsche Welle” tregon fletën e kartonit që ai përdor si dyshek. Ai thotë se policia hoqi çadrat e tyre, një taktikë e konfirmuar nga Organizatat Joqeveritare, media dhe madje edhe një polic lokal.

Autoritetet franceze duan të parandalojnë formimin e një “xhungle” tjetër, pasi kampi famëkeq i emigrantëve u çmontua në vitin 2016.

Aq afër, por aq larg

Megjithëse qendrat e azilit janë të shpërndara në të gjithë Francën, shumë prej refugjatëve dhe emigrantëve në Calais mendojnë se kalimi i rrezikshëm i kanalit është shansi i tyre më i mirë për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar – vetëm 30 kilometra (18.6 milje) larg, përmes ujit të trazuar.

Për të arritur atje, mijëra emigrantë po zgjedhin të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm nëpër Kanalin Anglez. Shumica e tyre u paguajnë kontrabandistëve shuma zhvatëse për të provuar të bëjnë udhëtimin ilegal me gomone nën mbulesën e natës, ose në orët e para të mëngjesit.

Kontrolle më të rrepta nga deti, në tokë

Prefektura Detare, përgjegjëse për vëzhgimin e kanalit dhe Detit të Veriut, ka regjistruar mbi 550 kalime në tentativë ose të suksesshme këtë vit, duke përfshirë më shumë se 12 mijë njerëz.

Në korrik, Zyra e Brendshme Britanike tha se mbi 400 emigrantë kishin mbërritur në një ditë të vetme.

Sipas statistikave, rreth 8 mijë e 500 njerëz mbërritën atje duke kaluar kanalin në vitin 2020.

Ndërsa autoritetet franceze regjistruan 9 mijë e 500 njerëz – shumë më tepër se në vitin 2019.

Fakti që më shumë njerëz po zgjedhin rrugën detare, nuk do të thotë domosdoshmërisht se më shumë emigrantë po mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, por thjesht se po bëhet më e vështirë të kalosh përmes mjeteve të tjera.

Rruga e trenit “Eurotunnel” monitorohet më nga afër se më parë. Kamionët që udhëtojnë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës u nënshtrohen kontrolleve shumë më të rrepta.

Franca gjithashtu ka rritur kontrollet e saj në det, në porte dhe rrugë.

Kohët e fundit, qeveria britanike ra dakord t’i paguajë Francës gati 63 milionë euro (rreth 73 milionë dollarë) për vitin 2021 dhe 2022. Kjo ka ardhur për të rritur patrullat e saj në Kanalin anglez dhe për të ndaluar kontrabandistët me njerëz.

Kjo e fundit është kritikuar ashpër nga OJQ-të.

Mbretëria e Bashkuar është në procesin e forcimit të ligjeve të saj edhe më shumë. Qeveria së fundmi prezantoi një projekt-ligj, i cili mund të shihte personat që hyjnë ilegalisht në vend të përballen me burg.

Emigrantët presin të bashkohen me familjarët, pavarësisht nga të gjitha pengesat për të kaluar në Mbretërinë e Bashkuar një ditë së shpejti.

Marrë nga Deutsche Welle, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore