Financa

Paundi bie në nivelin më të ulët ndaj dollarit që nga viti 1985


Paundi britanik ka rënë në nivelin më të ulët kundrejt dollarit amerikan që nga viti 1985.

Ai ka rënë në nivelin e përpara 37 vjetëve me 0.64 për qind në 1.145 dollarë.

Sipas bankës së Anglisë, perspektiva më e dobët për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar dhe dollari më i fortë kanë ushtruar presion mbi paundin.

Po ashtu guvernatori Andrew Bailey ka paralajmëruar se pak mund të bëhet për të ndaluar rënien e vendit në një recesion këtë vit teksa lufta në Ukrainë vazhdon.

Guvernatori ka shtuar se kjo do të shkaktohet “në masë të madhe nga veprimet e Rusisë dhe ndikimi në çmimet e energjisë”.

Në parashikimet e bankës, ekonomia do të tkurret në tre muajt e fundit të vitit 2022 dhe do të vazhdojë të tkurret deri në fund të vitit që vjen.

Ky paralajmërim nga banka vjen përpara një plani të qeverisë për të kufizuar një rritje të mprehtë të faturave të energjisë.

Çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm kur u hoq bllokimi dhe ekonomia filloi të kthehej në normalitet. Ato janë rritur më tej pasi Rusia shkurtoi ndjeshëm furnizimet e saj me gaz në Evropë.

Bailey ka thënë se recesion mbeti “mjerisht” rezultati më i mundshëm në MB.

Muajin e kaluar, banka parashikoi një recesion në MB pasi rriti normat e interesit me marzhin më të lartë në 27 vjet, në një përpjekje për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve.

Normat më të larta të interesit mund ta bëjnë huamarrjen më të shtrenjtë. Kjo nënkupton se njerëzit kanë më pak para për të shpenzuar.

Por ka një kufi se sa efektive mund të jetë rritja e normës në MB kur inflacioni shkaktohet nga çështjet globale.

Bailey ka theksuar se “personi që do ta vendosë MB-në në recesion është Vladimir Putin, jo Komiteti i Politikës Monetare”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore