Shqipëria

“Pastrimi i Vlorës”


Një dalje jo-zyrtare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka qenë kritika e radhës në distancë, në një betejë që luhet “pa koment”, në heshtje mes tij e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli.

“Ata që paguhen për ta mirëmbajtur të pastrojnë para se të lindë dielli”, kjo është deklarata e Ramës drejtuar Lelit në kulmin e sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Sipas tij, turistët e huaj dhe shqiptarë që e shohin këtë pamje është turp.

Ai shfaqet në video teksa grumbullon në një ambient sportiv, mbetjet e mbetura aty rishtaz.

Mesazhi i tij është i ndarë në dy pjesë; ata që vijnë dhe luajnë bëjnë mirë t’i mbledhin – referuar qytetarëve dhe sjelljes së tyre qytetare dhe pjesa tjetër i advokohet kryebashkiakut Leli.

Për Ramën, vetëm tre minuta e ndajnë turpin nga dinjiteti më i zakonshëm që duhet të ketë një qytet komunitet dhe një bashki.

“Riciklimi” i problematikës së plehrave

Në një deklaratë për mediat, gjatë takimit për hapjen e ishullit të Sazanit, të enjten e 17 qershorit, drejtuesi i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri i kujtonte kryetarit të Bashkisë, Dritan Leli se mbeturinat në qytet mbeten problem.

Sipas Gjiknurit, elementi bazë për shumë turistë është ambienti i pastër. Ai ftoi Lelin që secili të japë kontributin e tij.

“Pres nga institucionet lokale që të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse ishulli është pjesë e Bashkisë së Vlorës”, theksonte Gjiknuri.

Ndërkaq, Dritan Leli nuk mori pjesë në takim dhe në krah të Gjiknurit ndodhej zv. kryetarja e Bashkisë Vlorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore