Lajme

Pasagjerët në aeroport shtiren sikur kanë nevojë për karrige me rrota për të kaluar radhët


Pasagjerët e linjës ajrore po anashkalojnë radhët e gjata në aeroportin ndërkombëtar Heathrow në Londër duke pretenduar se kanë nevojë për karrige me rrota, pasi kanë parë një video që e tregon këtë në TikTok, ka thënë shefi i aeroportit.

John Holland-Kaye, shefi ekzekutiv i aeroportit Heathrow, tha se disa pasagjerë po përdornin karriget me rrota të vëna në dispozicion për t’u përpjekur të kalojnë sa më shpejt nëpër aeroport, duke shtuar se kjo ishte “gjëja e gabuar për t’u bërë”.

“Për pasagjerët që kërkojnë karrige me rrota, ne kemi më shumë kërkesë sesa kishim përpara pandemisë. Pse po ndodh kjo? Një pjesë e kësaj është për shkak se njerëzit po i përdorin ato për t’u përpjekur të kalojnë me shpejtësi në aeroport. Kjo është absolutisht gjëja e gabuar që duhet bërë”.

“Nëse shkoni në TikTok, do të shihni se ky është një nga hakimet e udhëtimit që njerëzit rekomandojnë”, vijoi ai.

Në qershor, një përdorues i TikTok ngarkoi një video të vetvetes duke pretenduar se kishte kyçin e këmbës të dëmtuar dhe iu dha një karrige me rrota ndërsa fluturonte nga Ibiza në Bristol.

Videoja tregoi përdoruesin duke hequr këpucën dhe kishte të shkruar: “Shtirem sikur kam lënduar këmbën për të kaluar kontrollin dhe direkt për në aeroplan”.

Ai u bëri thirrje njerëzve që “me të vërtetë kanë nevojë për shërbimin” që t’i bëjnë të ditur Heathrow-ut “që më parë, në mënyrë që të sigurohemi që ka mjaft njerëz atje për të përmbushur nevojat tuaja”.

Shumë udhëtarë që përdorin aeroportin këtë verë janë përballur me radhë të gjata, ku shkaku i situatës është mungesa e stafit. Aeroporti gjithashtu ka kufizuar numrin e tij ditor të pasagjerëve që nisen në 100 mijë këtë muaj, për të lehtësuar presionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore