Lajme

Pas ShBA-ve, edhe Gjermania kritika për Kurtin: Rruga e tij në dialog, s’është në interes të Kosovës


Foto: Albanian Post

Shtetet perëndimore pothuajse çdo ditë po dalin me qëndrime publike për të shprehur kështu hapur mospajtimet që kanë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me qasjen e tij në raport me dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, veçanërisht pas çështjes së fundit, pra vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb për pagesa.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar Kurtin se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve respektive.

Por, përveç amerikanëve, kundër Kurtit, dhe mënyrës se si ai po operon në dialogun me Serbinë, ka dalë edhe një nga vendet më të fuqishme të kontinentit të vjetër, aleate e kahershme e Kosovës, Gjermania.

Berlini zyrtar, përmes të Dërguarit të saj Special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se rruga në dialog nëpër të cilën po ecën qeveria e Albin Kurtit në planin afatgjatë, “kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian”.

Këto komente, diplomati gjerman i ka bërë në një intervistë për “ABCnews Albania”, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe qasjen që kreu i ekzekutivit kosovar e ka në këtë proces.

“Kam frikë se kjo mund të çojë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt BE-së”, deklaroi Sarrazin.

Albin Kurti dhe Manuel Sarrazin

Por, para se të dilte Sarrazin, kritika – më të ashpra se kurrë më parë – ndaj Kosovës u artikuluan nga ShBA-të.

Tre zyrtarë amerikanë – top diplomatë – dolën hapur që ta demantonin kryeministrin Kurti, dhe t’i tregonin qytetarëve kosovarë se relacioni i marrëdhënieve në mes të dy shteteve respektive nuk është ashtu siç paraqitej nga udhëheqësi i tyre, pas vendimit, siç thotë ShBA-ja, “të pakoordinuar” me ta sa i përket ndalimit të dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Kurti, para se flisnin amerikanët, por edhe pasi dolën, insistonte se me ShBA-të “raportet janë shumë të mira” dhe se ai “i qëndron kësaj fjale”.

I pari që doli për të artikuluar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës ishte Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien – një njohës i hershëm i zhvillimeve në Ballkan – ku i bëri thirrje ekzekutivit që të tërhiqet nga vendimi për dinarin, derisa bëri me dije se ky vendim “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

“Nëse ai [Kurti] nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, thoshte O’Brien, derisa tregonte për mungesën e koordinimit për çështjen e dinarit.

James O’Brien

Sikur të mos mjaftonte O’Brien, vetëm dy ditë më pas, më 15 shkurt, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë të pazakontë për media, para objektit të ambasadës, u detyrua që ta përgënjeshtroi Kurtin, i cili kishte thënë se çështja e dinarit nuk e afekton raportin në mes të Kosovës dhe Amerikës.

Hovenier u thoshte kosovarëve se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se raporti tashmë është afektuar nga kjo situatë, meqë Kosova nuk është treguar partnere me Amerikën.

“Unë jam i shqetësuar që ka intervista që sugjerojnë që partneritet i SHBA-ve me Kosovën nuk është afektuar dhe nuk mund të afektohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë, kjo nuk është aspak e vërtetë, nuk është ky rasti. Kjo situatë veçse ka afektuar kualitetin e partneriteti tonë”, deklaronte zëri i SHBA-ve në Kosovë.

“Çdo sugjerim për të kundërtën (se nuk ka ndikim kjo situatë) tregon për një keqkuptim apo keqprezantim fondamental”, shtonte.

Jeffrey Hovenier

Përkundër këtyre deklarimeve, Kurti sërish, një ditë pas Hovenier-it, do thoshte se shteti që ai përfaqëson mbetet aleat i Amerikës.

Këtë e kishte bërë përmes një shkrimi në rrjetin social X, pas takimit që kishte pasur me disa senatorë amerikanë.

“Kënaqësi të takohemi me senatorët amerikanë Shaheen, Ricketts, Van Hollen e Chris Murphy. Fola për nevojën e llogaridhënies nga Serbia pas sulmit terrorist në Banjskë, një shqetësim që është i përbashkët. Kosova mbetet përkrahëse e demokracisë dhe aleate e SHBA-së”, kishte shkruar ai.

Por, pas kësaj, nuk do të vononte as demanti i tretë amerikan. Këtë radhë përmes të Dërguarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 23 shkurt, konsideroi se Kosova nuk është duke i trajtuar SHBA-të “si partner”, derisa ka hezituar të flasë për pasojat eventuale.

Ai vlerësoi se sjellja e Kosovës s’dërgon në stabilitet rajonal.

“Nuk dua të hyjë në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk punon me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara”, deklaroi Escobar.

Gabriel Escobar

Madje, ai citoi edhe ambasadorin Hovenier, duke u përpjekur që ta elaboroi atë që ai e tha përmes mesazheve të tij nga Prishtina.

Sipas Escobar-it, është vetë Kosova ajo që po vështirëson rrugën e saj me partnerët e tjerë – duke përfshirë edhe ato vende që se njohin.

“Mendoj se ambasadori Hovenier, e ka thënë më së miri kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-në”.

“Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve për Kosovën në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, shpjegonte Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore