Aplikacione

Pas reagimeve, Whatsapp-i nis fushatën e privatësisë


Aplikacioni i mesazheve, Whatsapp-i, në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur fushatën e parë reklamuese të madhe të përqendruar te privatësia.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kjo lëvizje e platformës ndjek një reagim të klientëve ndaj ndryshimeve në termat dhe kushtet e tij, të njoftuar në fillim të këtij viti.

Gjithashtu Whatsapp-i ka njoftuar se po qëndron i palëkundur kundër presionit nga qeveritë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për të bërë kompromis në mënyrën se si kripton mesazhet.

Shefi i Whatsapp-it, Will Cathcart, ka thënë për BBC se autoritetet duhet të “kërkojnë më shumë siguri” jo më pak.

“Hapi i parë për të mbajtur njerëzit të sigurt është që ju duhet të keni një siguri të fortë dhe ne mendojmë se qeveritë nuk duhet të jenë atje duke u përpjekur të inkurajojnë kompanitë e teknologjisë për të ofruar siguri të dobët”, ka pohuar ai.

Cathcart ka vijuar se “ata duhet të jenë atje duke u përpjekur të inkurajojnë apo edhe të mandatojnë në mënyrë që kompanitë të ofrojnë sigurinë më të fortë të mundshme”.

Edhe pse nis në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, fushata e marketingut është vendosur të zhvillohet ndërkombëtarisht.

Nëpërmjet kriptimit të vendosur nga Whatsapp-i, mesazhet mund të lexohen vetëm në pajisjen që dërgon një mesazh dhe pajisjen që e merr atë. Vetë Whatsapp-i dhe si parazgjedhje kompania e saj mëmë Facebook-u,  nuk mund t’i shohin ose t’i përgjojnë këto mesazhe, dhe as zbatimi i ligjit.

Priti Patel, sekretarja e brendshme, e ka përshkruar përdorimin e këtij kriptimi si “të papranueshëm” në luftën kundër ndarjes së përmbajtjes së paligjshme.

Në një fjalim në muajin prill, ajo tha se dëshironte ta shihte të përdorur “në një mënyrë në të cilën është gjithashtu në përputhje me mbrojtjen e publikut dhe sigurinë e fëmijëve”, mirëpo nuk dha hollësi se si mund të funksionojë kjo.

Facebook-u ka bërë me dije se ka ndërmend të hapë enkriptimin më gjerësisht në shërbimet e tij të tjera.

Në territorin e Kinës, tanimë Whatsapp-i është bllokuar dhe po padit qeverinë indiane rreth rregullave të reja digjitale që do ta detyrojnë atë të shkelë mbrojtjen e saj të privatësisë. Dhe afro 400 milionë nga dy miliardë përdorues të saj globalë ndodhen në Indi.

Cathcart është shprehur se ai “jeton me realitetin” se më shumë vende të tjera mund të zgjedhin të bllokojnë platformën teksa rregulloret e sektorit të teknologjisë shtrëngohen në të gjithë botën.

Lufta kundër përmbajtjes së paligjshme

BBC shkruan se teksa Whatsapp-i nuk mund ta shohë përmbajtjen e mesazheve, ka zhvilluar mjete të tjera që e ndihmojnë atë të bllokojë materiale të paligjshme dhe dezinformata të shpërndara gjerësisht.

Cathcat ka pohuar se çdo muaj, Whatsapp-i ndalon dy milionë llogari dhe në vitin 2020 platforma raportoi 300 mijë imazhe në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Shfrytëzuar të Humbur.

Këtë e realizon duke përdorur një kombinim të raporteve nga marrësit e mesazheve dhe të mësuarit me makinë duke përdorur të dhënat e pakriptuara që Whatsapp-i mund të shohë, të tilla si vëllimi i mesazheve që dërgon një llogari dhe në sa grupe bashkohet.

Për sa i përket mesazheve që janë përcjellë shumë herë më parë, ato janë tanimë të shënuara dhe ka kufizime me sa njerëz mund të ndajë të njëjtin mesazh një përdorues.

Reagimi i përdoruesve për kushtet e reja

Mijëra përdorues gjatë muajit janar, kërcënuan të largoheshin nga Whatsapp-i, duke menduar gabimisht se do të fillonin të ndanin të dhëna mesazhesh me Facebook-un pas një njoftimi për ndryshimet në termat dhe kushtet e tij.

Nga ana tjetër, platforma bëri me dije se përdoruesit që nuk do ta pranonin azhurnimin do të fillonin të humbnin funksionalitetin në platformë.

Qarkullonin pretendime të rreme se privatësia e mesazheve personale ishte gati të ndryshonte. Kjo bëri që mijëra njerëz të alarmuar të dyndeshin drejt shërbimeve rivale si Signal-i dhe Telegram-i.

Lidhur me ndryshimet, ato kanë të bëjnë kryesisht me mundësimin e kompanive për të pranuar pagesa përmes Whatsapp-it.

Cathcart ka thënë se firma mori përgjegjësinë për “konfuzionin” që kishte krijuar njoftimi.

“Për ta përsëritur, asgjë në lidhje me privatësinë e bisedave personale të njerëzve nuk ndryshoi në azhurnimin tonë”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore