Lajme

Pas protestës, punëtorëve të KEK-ut u rriten pagat – marrin edhe bonuse


Punetorët e KEK-ut duke protestuar.

Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas protestës të së premtes së 22 dhjetorit, u janë rritur pagat, si dhe kanë përfituar bonuse për fund-vit.

Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Re e KEK-ut, të cilët kanë thënë se pas bisedimeve të vazhdueshme dhe negociatave me menaxhmentin e KEK-ut, “kemi arritur një përparim të rëndësishëm në rrugën tonë drejt një kompensimi më të drejtë për punën tonë”.

“Bordi ka miratuar një bonus prej 300 eurosh neto për fund-vit, si dhe një rritje të pagave prej 70 eurosh që do të nisë nga janari. Në kuptimin tonë, megjithatë, kjo nuk përmbush plotësisht pritjet tona”, thuhet në njoftimin e tyre.

Mirëpo, kanë theksuar ata, si rezultat i këtij realizimi të pjesshëm “protesta e paraparë për datën 28 dhjetor, me vendim të Kryesisë anulohet”.

“Ne vazhdojmë të përkushtohemi për qëllimet tona dhe inkurajojmë mbështetjen tuaj në këtë fazë të negociatave. Bashkësia jonë është forca jonë kryesore në këto momente”, potencohet aty.

Nga sindikata e kësaj korporate kanë falënderuar të gjithë punëtorët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në këtë çështje të rëndësishme.

“Vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive për të siguruar një mjedis pune më të mirë dhe një kompensim më të drejtë për të gjithë ne”, kanë përfunduar ata.

Rritja e pagave për punëtorët e KEK-ut, vjen pak ditë pasi që sindikata e kësaj korporate kishte protestuar para zyrave të këtij institucioni, ku kanë kërkuar që të kenë rritje të pagave.

Protesta e sindikatës së KEK-ut kishte ardhur pas dështimit të marrëveshjes mbi ngritjen e pagave për punëtorët.

Nga kjo sindikatë kishin vlerësuar se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe të drejtat e punëtorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore